Gjykata ka vendosur dënimin me 23 vite burg për ish-policin Tomor Çela, i akuzuar për vrasjen e dy personave më 27 nëntor 1997.
Çela u ekstradua nga SHBA tre vite më parë për t’u përballur me drejtësinë në Shqipëri.
Ngjarja ndodhi në rrugën “Bajram Curri”, ku Tomor Çela, së bashku me vëllain e tij, ka qëlluar me armë zjarri automatik ndaj viktimave Ledian Hoxha dhe Elton Dani.
Gjatë hetimit fillestar, nuk ishte përcaktuar shkaku i vrasjes së dy personave. Hetime të mëtejshme zbuluan se 3 ditë para ngjarjes, ish-polici kishte pasur një aksident me viktimat, ku u dëmtuan të dy automjetet. Pas këtij incidenti, Çela u konfliktua me viktimat për dëmshpërblimin e automjeteve, çka çoi në ngjarjen tragjike.
Gjykata e ka konsideruar të rëndë këtë vepër dhe ka vendosur dënimin maksimal sipas ligjit për vrasje të dyfishtë, duke dhënë mesazh për përgjegjësinë penale edhe për ish-policët.














