Kërkesa e kryeministrit Edi Rama për përjashtimin e Elisa Spiropalit nga Partia Socialiste ka hasur kundërshti edhe nga deputeti socialist Erion Braçe.
Gjatë diskutimeve me dyer të mbyllura në Asamblenë Kombëtare të PS-së, Braçe mësohet të ketë kundërshtuar propozimin e kryesocialistit, duke argumentuar se Partia Socialiste nuk ka pasur si praktikë përjashtimin e anëtarëve për shkak të qëndrimeve të tyre.
Sipas burimeve nga mbledhja, deputeti ka vënë në dukje se liria për të shprehur mendimin ka qenë një nga elementet që e kanë karakterizuar forcën politike.
“Kjo parti nuk ka përjashtuar ndonjëherë një njeri, mesa njoh unë. Mendoj se forca e partisë ka qenë liria, për të thënë atë që mendojnë”, mësohet të jetë shprehur Braçe.
Braçe, Xhafaj dhe Majko kundër kërkesës së Ramës
Qëndrimi i Braçes vjen pas kundërshtimeve të Fatmir Xhafajt dhe Pandeli Majkos ndaj kërkesës për përjashtimin e Spiropalit dhe avokatit Plarent Ndreca.
Kështu, gjatë debatit në Asamble janë raportuar kundërshtime nga tre deputetë socialistë ndaj masës së kërkuar nga Rama.
Në përfundim të mbledhjes, sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, sqaroi se Spiropali dhe Ndreca nuk do të jenë më pjesë e asnjë forumi të partisë, por do të vijojnë të mbeten anëtarë të saj.
Klosi tha se tre anëtarë të Asamblesë ishin shprehur kundër parimisht për përjashtimin dhe se për këtë arsye propozimi nuk u hodh në votim.
Përplasja ka nxjerrë në pah debatet brenda Partisë Socialiste për mënyrën se si duhet të trajtohen qëndrimet kritike dhe kundërshtitë ndaj drejtimit të partisë.
Lexo edhe
Asambleja e PS, Bardhi: Rama i kapur shah-mat në rastin e Ballukut!














