Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e pazakontë e regjistruar në lagjen “8 Shkurti” në Fier, ku një person humbi jetën pasi mbeti i bllokuar në dritaren e një banese.
Në një prononcim për mediat, vëllai i pronarit të shtëpisë ka sqaruar se banesa ishte e pabanuar prej rreth një muaji, pasi i zoti i saj ndodhet në Greqi pranë fëmijëve.
Sipas tij, ka qenë një fqinj, i cili kujdesej për shtëpinë gjatë mungesës së pronarit, ai që ka bërë zbulimin e rëndë.
“Banesa është e vëllait tim, ai nuk është këtu, është në Greqi. Një fqinj që kujdeset për shtëpinë e ka parë personin të bllokuar në dritare dhe na lajmëroi. Pastaj u njoftua policia”, u shpreh ai.
Familjari theksoi se në momentin e ngjarjes nuk ndodhej askush në banesë, ndërsa gjithçka është konstatuar rastësisht nga fqinji.
Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa pritet edhe identifikimi i viktimës.














