Një studim i ri shkencor zbulon se drerët femra bluajnë dhe përtypin brirët e tyre për të rimbushur rezervat jetike të mineraleve, pas një migrimi vajtje-ardhje prej rreth 2,414 kilometrash në kushtet e ashpra të tundrës së Arktikut.

Sipas studimit, drerët janë i vetmi lloj dreri ku edhe femrat kanë brirë, një veçori që prej vitesh ka ngjallur debat shkencor. Më herët, studiuesit mendonin se brirët shërbenin për mbrojtje nga grabitqarët ose për dominim në zonat e ushqyerjes. Por hulumtimi i fundit tregon se funksioni i tyre kryesor është ushqyes dhe evolucionar.

Reklame

Studimi, i cituar nga The Independent, tregon se brirët e rënë në tundrën arktike mund të mbeten të paprekur për dekada apo shekuj, duke u kthyer në një burim të qëndrueshëm mineralesh si kalciumi dhe fosfori – elementë kritikë për organizmin pas migrimeve të gjata në klimë të ftohtë dhe të thatë.

Analiza e 1,567 brirëve të studiuar zbuloi se deri në 86% e tyre kishin shenja të qarta bluarjeje. Ekzaminimi i gjurmëve të dhëmbëve tregoi se “fajtorët” kryesorë nuk ishin brejtësit, siç mendohej më parë, por vetë drerët.

“Ne e dinim që kafshët përtypnin brirët, por të gjithë supozonin se ishin kryesisht brejtës. Tani e dimë se në fakt janë vetë drerët,” tha Joshua Miller, biolog në University of Cincinnati dhe bashkautor i studimit, i botuar në revistën shkencore Ecology and Evolution.

Sipas studiuesve, drerët femra i humbin brirët vetëm disa ditë pas lindjes së të vegjëlve, çka i bën ato menjëherë të disponueshme si një shtesë ushqimore kur kafshët rikthehen në zonë.

“Këto brirë qëndrojnë për shekuj në Arktik dhe shndërrohen në një burim lëndësh ushqyese ku kafshët kthehen vazhdimisht,” shpjegon Dr. Miller.

Përtej ndikimit te drerët, mineralet nga brirët kthehen edhe në tokë, duke ndihmuar rritjen e barit dhe likeneve – ushqimi kryesor i tyre. Kështu, drerët jo vetëm që ushqehen nga brirët, por formësojnë vetë ekosistemin arktik.

“Fosfori është veçanërisht i rëndësishëm për nënat e reja që duhet të prodhojnë qumësht cilësor për të ushqyer të vegjlit,” thekson Dr. Miller.

Reklame