TIRANË – Në seancën e sotme në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), avokati i ish-kryeministrit dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, Genc Gjokutaj, ka kërkuar që kryeministri Edi Rama të pyetet si dëshmitar në dosjen e njohur si “Partizani”.

Sipas avokatit Gjokutaj, Rama konsiderohet dëshmitar kyç pasi ka pasur rol në ndryshimin e destinacionit të pronës që është objekt i hetimeve. Mbrojtja kërkoi gjithashtu që si provë të merret DVD-ja me fjalimin e kryeministrit në Asamblenë e Partisë Socialiste në prill 2022.

Reklame

Në seancë, avokatët e Berishës paraqitën tre argumente kryesore kundër pretendimeve të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK):

Tejkalimi i kompetencave të SPAK – Mbrojtja theksoi se SPAK nuk mund të vlerësojë bazën ligjore, VKM-të apo politikat që ndjek një qeveri, duke shtuar se këtë e bën vetëm Gjykata Kushtetuese.

Mungesa e fakteve penale konkrete – Avokatët argumentuan se SPAK nuk ka identifikuar veprime të veçanta të Berishës që përbëjnë shkelje ligjore. Akuza, sipas mbrojtjes, bazohet në veprimtari të përgjithshme administrative dhe nuk mbështetet në prova të qarta për pasoja penale.

Ndikimi politik i ndjekjes penale – Mbrojtja pretendoi se procedimi ndaj Berishës është i ndikuar politikisht, duke përmendur deklaratat publike të kryeministrit Rama, ambasadores Yuri Kim dhe ish-zyrtarit amerikan Gabriel Escobar. Sipas avokatëve, Rama i ka bërë thirrje SPAK-ut për të hetuar çështjen dhe ka dhënë orientime mbi mënyrën e hetimit, ndërsa kallëzimi parlamentar është shqyrtuar jashtë afateve ligjore dhe përmban rrethana të pahetuara.

Avokatët gjithashtu mohuan çdo marrëveshje paraprake të Berishës për privatizimin apo përfitime përmes dhëndrit të tij, duke theksuar se pretendimet e Prokurorisë mbështeten vetëm në deduksione dhe nuk ka prova konkrete.

Seanca pritet të vazhdojë me shqyrtimin e provave dhe vendimin për kërkesën e mbrojtjes për pyetjen e kryeministrit Rama si dëshmitar.

Reklame