Advertisement

Detaje të reja dhe mjaft problematike kanë dalë në dritë pas arrestimit të Dukagjin Berishës, 27 vjeç, në kuadër të operacionit policor të koduar “Barriera”, që goditi trafikun e armëve nga Kosova drejt Tiranës.

Burime policore bëjnë me dije se efektivët e Komisariatit nr. 4 kishin marrë informacione të sakta se Berisha do të hynte në Shqipëri përmes pikës kufitare të Morinës, për të transportuar armë zjarri që do t’i shiste në zonën e Freskut. Që nga momenti i hyrjes në territorin shqiptar, ai është mbajtur nën vëzhgim të pandërprerë, duke u ndjekur hap pas hapi me mjetin e tij tip “Volkswagen”.

Reklame

Për të dokumentuar aktivitetin kriminal, Policia përdori agjentë të infiltruar, të cilët i blenë Berishës dy pistoleta Glock në Fresk, para se të ndërhyhej për arrestimin e tij. Ky veprim u krye me qëllim sigurimin e provave të pakundërshtueshme dhe ekspozimin e plotë të skemës së trafikimit të armëve.

Sipas hetimeve paraprake, 27-vjeçari dyshohet se ka kryer edhe më herët shitje armësh në Tiranë, çka ngre dyshime serioze për një aktivitet të strukturuar dhe të vazhdueshëm kriminal, dhe jo një rast të izoluar.

Pas dokumentimit të plotë të veprimtarisë së tij, Policia ndërhyri në Unazën e Madhe, pranë mbikalimit të Tufinës, ku nën kofanon e automjetit u gjetën dhe u sekuestruan 10 pistoleta Glock me municion luftarak, ndërsa në total 12 armë zjarri u bënë pjesë e dosjes hetimore.

Materialet procedurale dhe provat e mbledhura i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në rrjetin e trafikut të armëve.

Reklame