Gara për përzgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës së Shqipërisë ka dështuar, pa arritur të finalizohet me shpalljen e një kandidature fituese.
Në një mesazh zyrtar të dërguar kandidatëve bëhet e ditur se, pas përfundimit të të gjitha fazave të verifikimit dhe vlerësimit, procedura e konkurrimit nuk ka prodhuar një fitues. Sipas njoftimit, procesi është zhvilluar në përputhje me Udhëzimin e Ministrit të Brendshëm nr. 102, datë 05.06.2024, por pa një rezultat përfundimtar.
Ndërkohë, burime pranë procesit bëjnë me dije se një nga kandidatët, i cili është vlerësuar me më shumë pikë nga komisioni, nuk ka përmbushur një prej kritereve ligjore të domosdoshme për t’u shpallur fitues. Konkretisht, kandidatit i mungon cikli i dytë i arsimit të lartë, çka e ka bërë të pamundur finalizimin e garës dhe ka çuar në vendimin për mosshpalljen e një fituesi.
“Në vijim të procedurës së konkurrimit për përzgjedhjen e kandidatit për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës, ju informojmë se, pas përfundimit të të gjitha fazave të parashikuara të verifikimit dhe vlerësimit të kandidaturave, procedura nuk është finalizuar me shpalljen e një kandidature fituese”, thuhet në mesazhin zyrtar drejtuar kandidatëve.
Si pasojë, pritet që në ditët në vijim të hapet sërish gara për drejtuesin e ri të Gardës së Republikës.
Hapja e këtij konkursi erdhi pas dorëheqjes së Ermal Onuzit, vetëm 9 muaj pasi ishte emëruar në krye të Gardës.
Në garë për Kreun e Gardës së Republikës ishin: Arian Sopiqoti, Denis Deliu, Faik Basha, Ilirjan Hasanaj, Liman Hoxha, Simon Zereci, Vasil Çuni dhe Zaje Osma.















