Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arlind Blushi, ka reaguar ashpër kundër projektit të ri për reformën administrativo-territoriale, duke e akuzuar qeverinë Rama se synon të përshpejtojë shpopullimin dhe të centralizojë më tej pushtetin vendor.
Në një deklaratë publike, Blushi e cilësoi projektin për reduktimin e numrit të bashkive si një nismë që, sipas tij, do të dëmtojë komunitetet lokale dhe do të largojë shërbimet nga qytetarët.
“Spastrimi administrativ i Shqipërisë nga Edi Rama duhet ndaluar me çdo çmim. Nxit shpopullimin dhe është atentat ndaj komuniteteve lokale”, u shpreh Blushi.
Sipas tij, pas reformës territoriale të vitit 2014, e cila sipas opozitës ka dështuar, projekti i ri për reduktimin e bashkive do të ketë pasoja edhe më të rënda.
“Projekti i Edi Ramës me 46 bashki nuk është reformë territoriale, por projekti për zbrazjen përfundimtare të Shqipërisë, që shuan treva dhe braktis komunitete, që nuk ofron më asnjë shërbim për qytetarin, por i largon ato edhe me dhjetëra kilometra më shumë”, deklaroi Blushi.
Ai pretendoi se reduktimi i numrit të bashkive do të ndikojë në aksesin e qytetarëve te shërbimet publike dhe do të rrisë kostot për banorët e zonave që do të humbasin statusin e bashkisë.
Blushi përmendi konkretisht Poliçanin, Klosin, Maliqin dhe Cërrikun, duke deklaruar se banorët e këtyre zonave nuk duhet të detyrohen të udhëtojnë në distanca të gjata për të marrë shërbime administrative.
“Banorët e Poliçanit, Klosit, Maliqit, Cërrikut dhe dhjetëra zonave të tjera nuk mund të dënohen të humbasin orë të tëra në rrugë për të marrë një shërbim që sot e marrin pranë vendbanimit të tyre”, tha ai.
Sipas Blushit, reforma do të ndikojë edhe në ekonominë lokale dhe do të thellojë pabarazitë mes qyteteve të mëdha dhe zonave rurale.
Ai ngriti gjithashtu një pyetje publike për deputetët socialistë në bashkitë që, sipas propozimit të mazhorancës, pritet të preken nga riorganizimi territorial.
“Kur dolët në fushatë dhe kërkuat votën e socialistëve dhe të gjithë qytetarëve, a ua thatë se do të votonit për mbylljen e bashkisë së tyre? A ua thatë se do t’u hiqnit institucionet, shërbimet, përfaqësimin dhe identitetin administrativ?”, u shpreh Blushi.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së përshëndeti gjithashtu protestat e zhvilluara në disa bashki kundër reformës, duke veçuar protestën e socialistëve në Poliçan.
“Përshëndes banorët që po ngrihen kundër këtij projekti antikombëtar territorial dhe, në veçanti, socialistët e Poliçanit, të cilët me protestën e tyre treguan se dinjiteti qytetar është më i fortë se urdhrat politikë”, deklaroi ai.
Në përfundim, Blushi prezantoi alternativën e opozitës, e cila propozon rritjen e numrit të njësive të qeverisjes vendore në rreth 100 bashki.
Sipas tij, kjo alternativë synon decentralizimin e pushtetit, afrimin e shërbimeve me qytetarët dhe fuqizimin e ekonomisë lokale.
“Alternativa e opozitës për 100 njësi vendore është një hap drejt decentralizimit të vërtetë, fuqizimit të pushtetit vendor, afrimit të shërbimeve pranë qytetarëve, krijimit të mundësive reale për zhvillim lokal dhe ndalimit të shpopullimit”, përfundoi Blushi.
Reagimi vjen në një kohë kur reforma administrativo-territoriale është rikthyer në qendër të debatit politik, ndërsa mazhoranca dhe opozita kanë paraqitur qëndrime të ndryshme mbi numrin e bashkive dhe modelin e ardhshëm të organizimit të pushtetit vendor.
Lexo edhe:
Procesi ndaj Metës/ Blushi në GJKKO: Mbi 1 mijë qytetarë kërkojnë të ndjekin seancën














