Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se Partia Demokratike ka vijuar procesin e ripërtëritjes së strukturave drejtuese, duke theksuar se rreth dy të tretat e kryesisë së re janë përbërë nga gra, vajza dhe të rinj.
Gjatë një deklarate për mediat, Berisha u ndal te mbledhja e parë e Këshillit Kombëtar të PD-së, ku u zhvilluan edhe zgjedhjet për Kryesinë e re të partisë.
Sipas tij, anëtarët e Këshillit Kombëtar reflektuan frymën e Kuvendit të fundit të Partisë Demokratike, të cilin ai e cilësoi si “Kuvendi i Ripërtëritjes”.”Rreth dy të tretat e kryesisë u ripërtërinë në tërësi me zonja, vajza, gra dhe të rinj”, u shpreh Berisha.
Kreu i demokratëve uroi të gjithë anëtarët e rinj të zgjedhur në Kryesi, duke u uruar suksese në detyrat që do të ushtrojnë në drejtimin e Partisë Demokratike.
Berisha shprehu gjithashtu mirënjohjen për të gjithë kandidatët që morën pjesë në garë, si edhe për bashkëpunëtorët e tij ndër vite, duke vlerësuar kontributin e tyre në jetën politike të PD-së.
Berisha: PPE sugjeron qeveri teknike për zgjedhje të lira në Shqipëri














