Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka paraqitur këtë të premte, më 8 maj, pretencën ndaj Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçja, të pandehur në lidhje me atentatin ndaj ish-prokurorit Arian Ndoja (sot deputet) dhe Aleksandër Laho.
Prokurorët e SPAK kanë kërkuar burgim të përjetshëm për Dervishajn, ndërsa për Meçen është kërkuar dënim me 35 vite burg.
Pretenca është paraqitur nga prokurori Adnan Xholi, në mungesë të të pandehurve.
Ngjarja e vitit 2019 në Shkozet
Rasti lidhet me atentatin e ndodhur më 1 nëntor 2019, në mbikalimin e Shkozet, ku u plagos ish-prokurori Ndoja, Aleksandër Laho (i njohur si “Rrumi i Sukthit”) dhe shoferi i tij Andi Maloku.
Andi Maloku ndërroi jetë një javë më vonë në spital si pasojë e plagëve të marra.
Çështja konsiderohet një nga dosjet më të rënda të hetuara nga SPAK, për shkak të natyrës së atentatit dhe figurave të përfshira në ngjarje.














