Makina në të cilën ndodhej Gilmando Dani dhe miku i tij Muçi Shaljani, i cili mbeti i plagosur rëndë, është marrë nga vendi i ngjarjes për t’u dërguar në ekspertizë të detajuar.
Pasditen e sotme pranë zonës së Rinasit, një atentat mafioz la të vrarë Gilmando Dani dhe të plagosur rëndë Muçi Shaljani Sheqeri, punonjës i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Pak orë pas ngjarjes, forcat e policisë gjetën të djegur në një përrua pranë aksit Fushë-Krujë – Krujë, midis fshatrave Halil dhe Zallë, automjetin që dyshohet të jetë përdorur nga autorët.
Brenda makinës së shkrumbuar u gjetën 3 armë kallashnikov dhe 1 pistoletë, të cilat dyshohet se janë përdorur në atentat. Autorët ende nuk janë identifikuar.
Zona ku u gjet automjeti është e vështirë për t’u arritur me makinë, duke qenë në terren të thepisur dhe të aksesueshëm vetëm në këmbë.
Policia ka ngritur pika kontrolli në akset përreth dhe po analizon pamjet e kamerave të sigurisë, ndërsa armët e sekuestruara janë dërguar për ekspertizë.














