Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar pas arrestimit të Ylli Zallës në Krujë, duke përgëzuar strukturat e Policisë së Shtetit për finalizimin e operacionit të koduar “Fundi i Arratisë”.
Përmes një reagimi, Lamallari vlerësoi punën e strukturave të përfshira në operacion, duke e cilësuar Zallën si një person shumë të kërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.“Përgëzime Policisë së Shtetit për finalizimin me sukses të operacionit policor ‘Fundi i Arratisë’, për kapjen e një personi shumë të kërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore”, shkruan ministri.
Sipas tij, operacioni u zhvillua në bashkëpunim mes Forcave Speciale RENEA, Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, strukturave operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariatit të Policisë Krujë.
“Gjatë operacionit, në Krujë, u kap personi shumë i kërkuar Ylli Zalla, i cili i shmangej drejtësisë dhe tashmë është arrestuar nga Policia e Shtetit”, thekson Lamallari.
Arrestimi i Zallës u krye këtë të hënë në Krujë, pas një operacioni të zhvilluar nga strukturat e Policisë së Shtetit. Ai dyshohet se ishte fshehur në një banesë tjetër, rreth 500 metra larg banesës së tij.
Sipas informacioneve paraprake, në momentin e arrestimit Zalla ishte i armatosur me një kallashnikov dhe dy karikatorë.
Arrestimi vjen një ditë pas shpërthimit me lëndë plasëse në banesën e tij në fshatin Zallë të Fushë-Krujës, ku u shkaktuan dëme materiale dhe u dogj automjeti i tij.
Lexo edhe
Arrestohet Ylli Zalla në Krujë, ishte i armatosur me kallashnikov – u mbajt nën vëzhgim me dron
Ylli Zalla i shpëton RENEA-s, arratiset në pyll gjatë operacionit në Krujë














