Momente të tensionuara janë regjistruar pranë selisë së Partisë Demokratike në Tiranë, ku protestuesit dhe efektivët e Policisë janë përballur gjatë tubimit.
Sipas raportimeve nga vendngjarja, një grup protestuesish është futur në ambientet e selisë së PD-së, ndërsa Policia ka përdorur gaz lotsjellës në afërsi të godinës. Disa persona janë ndjerë keq nga gazi dhe kanë marrë ndihmën e parë. Dy ambulanca janë futur në oborrin e selisë, ndërsa një person i dëmtuar është nxjerrë nga godina.
Gjatë ndërhyrjes, disa persona janë shoqëruar nga Policia. Ndërkohë, në Rrugën e Elbasanit raportohet për prani të shtuar të efektivëve.
Nënkryetari i PD-së, Belind Këlliçi, pretendoi se policia kishte hedhur bombola gazi brenda selisë, duke deklaruar se nuk kishte pasur asnjë incident apo provokim që ta justifikonte ndërhyrjen.
Edhe deputeti Eno Bozdo e cilësoi ngjarjen të turpshme, duke akuzuar Policinë për dhunë të pajustifikuar. Ai tha se tre deputetë kishin dalë për të komunikuar me komandantin e forcave, por sipas tij, askush nuk kishte dalë për t’u takuar me ta.
Përplasjet pranë selisë së PD-së zhvillohen në një klimë të tensionuar, ndërsa protesta në kryeqytet vijon të shoqërohet me ndërhyrje policore dhe persona të lënduar.
lexo edhe














