Ndryshon situata brenda grupit parlamentar të Partisë Socialiste pak para nisjes së seancës plenare, ku sot pritet të votohet reforma administrativo-territoriale.
Sipas burimeve brenda grupit parlamentar socialist, Vullnet Sinaj pritet të votojë pro draftit të reformës territoriale, pavarësisht se në mbledhjen e mëparshme kishte votuar kundër propozimit për shkrirjen e 15 bashkive.
Ndërkohë, deputeti Erion Braçe nuk ka dhënë një qëndrim të prerë nëse do të votojë pro apo kundër. Sipas burimeve, Braçe ka argumentuar se drafti nuk ka kaluar për diskutim në Komisionin e Ekonomisë, ku ai është anëtar.
Nëse Sinaj voton pro, mazhoranca do të sigurojë 81 vota nga radhët e saj, ndërsa për miratimin e reformës nevojiten 84 vota.
Për të arritur numrin e kërkuar, vëmendja është edhe te votat e deputetëve të opozitës parlamentare.
Ndërkohë, sipas burimeve, Belinda Balluku nuk ka qenë e pranishme në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, ndërsa mbetet për t’u parë deri në momentin e votimit qëndrimi i saj dhe i Elisa Spiropalit.
Në përfundim të mbledhjes, kryeministri Edi Rama është larguar, ndërsa deputetët socialistë pritet të përballen me votimin vendimtar në seancën plenare.
Reforma parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, përmes shkrirjes së 15 njësive vendore. Për miratimin e saj kërkohen 84 vota.
Lexo edhe
Kuvendi “blindohet” për protestën. Forca të shumta policie rrethojnë Parlamentin
Grupi i PS mbledhet para votimit. Rama në takim, sytë te Braçe dhe Sinaj për reformën territoriale














