Advertisement

Ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj, është paraqitur këtë të martë në ambientet e SPAK, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.

Karçanaj duhet të paraqitet pranë policisë gjyqësore të martën e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 10:00, sipas vendimit të Gjykatës së Lartë. Përveç detyrimit të paraqitjes, ndaj saj është caktuar edhe masa e ndalimit të daljes jashtë shtetit.

Reklame

Më herët, Karçanaj ishte nën masën “arrest shtëpie”, por Gjykata e Lartë e zbuti masën e sigurisë në maj të këtij viti, duke ndryshuar vendimin e Apelit të Posaçëm.

Hetimi për tenderët e AKSHI-t

Karçanaj është nën hetim në dosjen e SPAK për procedurat e tenderimit në AKSHI.

Sipas akuzave të ngritura nga SPAK, ajo përballet me dyshime për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Hetimi lidhet me procedura tenderimi që prokuroria dyshon se janë manipuluar për të favorizuar kompani të caktuara.

Në kuadër të së njëjtës dosje janë marrë masa sigurie edhe ndaj personave të tjerë, mes tyre Ergys Agasi, Ermal Beqiraj, Hava Delibashi, Erion Ismaili, Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta.

SPAK ka hetuar procedura të ndryshme tenderimi të AKSHI-t, ndërsa në dosje janë ngritur dyshime edhe për veprime të paligjshme ndaj operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në procedura. Sipas prokurorisë, disa prej tyre dyshohet se janë detyruar të tërhiqen nga ankimimet, duke i hapur rrugë kompanive të paracaktuara.

Hetimet vijojnë, ndërsa personat nën hetim gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Lexo edhe:

Apeli zhbllokon pasuri të Ergys Agasit, lë në fuqi sekuestron për Mirlinda Karçanajn

Mirlinda Karçanaj paraqitet në SPAK për “detyrim paraqitje”

Reklame