Advertisement

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike ka miratuar në parim projektligjin e Partisë Socialiste për hartën e re territoriale të vendit.

Projektligji është miratuar me 8 vota pro dhe 5 kundër, ndërsa pas një pushimi prej 30 minutash Komisioni vijoi me shqyrtimin dhe votimin nen për nen dhe në tërësi.

Reklame

Nëse drafti merr miratimin përfundimtar në Komision, ai do të kalojë për votim në seancën plenare të Kuvendit të enjten, më 8 tetor. Për miratimin e reformës territoriale nevojiten 84 vota, ose 3/5 e të gjithë deputetëve.

Përplasje mes mazhorancës dhe opozitës

Mbledhja e Komisionit është shoqëruar me debate të forta mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.

Deputeti i opozitës, Klevis Blushi, e ka kundërshtuar ashpër projektligjin, duke e cilësuar si një vendimmarrje që, sipas tij, dëmton interesat e qytetarëve.

“Çfarë po votoni sot? Përse nuk keni kurajon të dilni nga një urdhër kriminal që do t’u marrë në qafë të gjithëve?”, deklaroi Blushi, duke kërkuar ndërprerjen e mbledhjes.

Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, mbrojti projektligjin dhe deklaroi se ai është në përputhje me Kushtetutën.

“Ne mendojmë se ky projektligj që ka ardhur sot respekton në frymë dhe në germë nenin 13 dhe 108 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe rregulloren e Kuvendit”, tha Manja.

61 bashki bëhen 46

Drafti i propozuar nga PS parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, përmes bashkimit të 15 bashkive me njësi vendore më të mëdha.

Bashkitë që parashikohet të shkrihen janë Fushë-Arrëzi, Klosi, Rrogozhina, Dimali, Poliçani, Patosi, Divjaka, Selenica, Maliqi, Këlcyra, Memaliaj, Libohova, Cërriku, Belshi dhe Përrenjasi.

Reforma është kundërshtuar nga opozita, ndërsa edhe deputetët socialistë Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj kanë shprehur rezerva dhe kanë votuar kundër draftit në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, sipas raportimeve të mediave.

Protestë para Kryesisë së Kuvendit

Ndërsa në Komision zhvillohej shqyrtimi i projektligjit, jashtë ambienteve të Kryesisë së Kuvendit janë mbledhur qytetarë dhe banorë nga bashkitë që preken nga harta e re.

Protestuesit kanë dalë me pankarta kundër shkrirjes së bashkive, duke kundërshtuar projektin e mazhorancës.

Mesazhet e tyre kanë qenë kundër bashkimit të njësive vendore dhe në mbrojtje të identitetit dhe interesave të komuniteteve lokale.

Pas miratimit në Komisionin e Ligjeve, hapi i radhës është votimi në seancën plenare të 8 tetorit, ku projektligji duhet të sigurojë 84 vota për t’u miratuar.

Lexo edhe

“Rama është i plagosur rëndë”, Berisha mbledh aleatët për hartën territoriale: Ne propozojmë 100 bashki

PD kundërshton reformën territoriale, Bylykbashi dhe Alizoti përplasen me PS

Reklame