31 vatra zjarri janë regjistruar në territorin e Shqipërisë deri në orën 20:00 të 15 gushtit, ndërsa 11 prej tyre vijojnë të jenë aktive dhe 2 të tjera janë nën monitorim.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, për përballimin e situatës janë angazhuar 396 forca operacionale dhe 41 automjete zjarrfikëse. Në operacione janë përfshirë edhe Forcat e Armatosura me 120 efektivë, 2 mjete zjarrfikëse, 2 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Një nga zonat ku vijon ndërhyrja është Mali i Dajtit në Tiranë, ku forcat operacionale po punojnë për shuarjen e zjarrit, të mbështetura nga 50 efektivë të FA-së dhe 2 helikopterë. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatra në Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe monitorim.
Në Gurë-Lurë të Dibrës vijon një operacion në një perimetër të gjerë. Në terren janë 150 forca bashkiake, 20 efektivë të Policisë, 11 të ADZM-së, 15 efektivë të MZSH-së dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga dy avionë “Air Tractor”. Hapja e korridoreve ka ndihmuar në frenimin e përhapjes së flakëve drejt banesave. Aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Qafë Helmes, në zonën Dibër-Bulqizë, zjarri është fikur nga krahu i Bulqizës, ndërsa vijon aktiv në drejtim të Selishtës.
Në Krujë, vatra në Abazaj vijon aktive, por me intensitet të ulët dhe pa rrezik për banesat. Zjarri në Zidoll është nën monitorim.
Ndërhyrja vijon edhe në Lufaj të Mirditës, ku po hapen korridore ndarëse për të penguar përhapjen e flakëve. Terreni i vështirë dhe bimësia e dendur po e vështirësojnë operacionin, por nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Fushë-Lajë të Pukës, zjarri mbetet aktiv në një terren të thyer, duke vështirësuar ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Edhe këtu nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Gjirokastër, aktive mbeten vatrat në Sotirë, Libohovë dhe Krahës. Në Libohovë zjarri po shkon drejt izolimit, ndërsa nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Gjormë të Selenicës, vatra është vënë nën kontroll nga forcat e MZSH-së, ndërsa në Dardhë të Librazhdit vijon puna e strukturave zjarrfikëse, shërbimit pyjor dhe forcave bashkiake për shuarjen e flakëve.
AKMC vijon monitorimin dhe koordinimin e operacioneve në të gjithë territorin, me fokus në izolimin e vatrave aktive dhe mbrojtjen e banesave dhe zonave të banuara.
Lexo edhe:
Zjarret në Shqipëri, 10 vatra aktive: Situata më kritike në Lurë
Zjarret në Shqipëri, 13 vatra aktive: 200 hektarë pyll të djegur në Lurë













