Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, njoftoi sot se opozita do të zhvillojë së shpejti protestën e parë kombëtare, ndërkohë që mohoi çdo bojkot të parlamentit.
“Parlamentin nuk do e bojkotojmë. Kjo nuk do të thotë bojkot i parlamentit. Por kjo do të thotë se opozita do zhvillojë betejë edhe brenda tij, duke përdorur mjete adekuate si në komisione, ashtu edhe në sallën e parlamentit,” tha Berisha.
Ai e quajti mazhorancën aktuale si “qeveri e zgjedhjeve të vjedhura” dhe akuzoi qeverinë për përdorim të gjithë potencialit ekzekutiv, shtetëror, financiar dhe mediatik për të influencuar votën e qytetarëve.
Berisha shtoi se përpjekja e opozitës për të transformuar parlamentin në një tribunë të fjalës së qytetarëve është sfiduar nga “banditizmi dhe absurditeti parlamentar”, duke iu referuar miratimeve të qeverisë dhe buxhetit pa debat.
Si hap të parë të aksionit të opozitës, Berisha tha se do të hapet platforma parlamentaro-qytetare para ndërtesës së Këshillit të Ministrave, ndërsa ftoi të gjithë qytetarët që janë të gatshëm të luftojnë për votën e lirë kundër regjimit aktual.
“Ne ndaj këtij regjimi jemi të vendosur të qëndrojmë me të gjithë potencialin dhe forcën tonë. Ne nuk nënshtrohemi,” përfundoi Berisha.














