Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka paraqitur konkluzionet përfundimtare në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) për një prej fraksioneve të dosjes së bujshme “Revanshi”, duke kërkuar në total 56 vite burg për pesë të pandehur të akuzuar për përfshirje në veprimtari të rënda kriminale.

Sipas pretencës së SPAK, për Armando Ndrecën, vëllain e ish-deputetit socialist Eduard Ndreca, është kërkuar dënimi me 15 vite burg, i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar zbret në 10 vite.

Reklame

Për Elvis Ndrecën, kushëririn e ish-deputetit socialist, organi i akuzës ka kërkuar 9 vite burg, dënim që reduktohet në 6 vite. Ndërkohë, për ish-efektivin e forcave speciale RENEA, Adrian Pikli, SPAK ka kërkuar 10 vite e 6 muaj burg, që me gjykim të shkurtuar zbret në 7 vite.

Po ashtu, për Edison Muçekun është kërkuar dënimi me 9 vite burg, i reduktuar në 6 vite, ndërsa për Deivis Bajramajn është kërkuar dënimi me 12 vite burg, që me përfitimin e gjykimit të shkurtuar zbret në 8 vite.

Të pandehurit akuzohen për një sërë veprash penale, përfshirë pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, kultivim të bimëve narkotike, armëmbajtje pa leje dhe sigurim kushtesh për kryerjen e vrasjeve.

Sipas SPAK, hetimet kanë provuar se më 4 nëntor 2020, në Urën e Tapizës në Fushë-Krujë, Albert Zaja dhe persona të tjerë kanë tentuar të vrasin me armë zjarri Durim Bamin dhe Ervin Kodrën.

Po sipas akuzës, gjatë periudhës maj-korrik 2020, Albert Zaja dhe Edison Muçeku kanë siguruar mjetet për eliminimin e Hamza Terziut, ndërsa në korrik-gusht të po atij viti, Elvis Ndreca dyshohet se ka siguruar kushtet për vrasjen e Durim Bamit.

Në pretencën e SPAK thuhet gjithashtu se në tetor 2020, Armando Ndreca ka organizuar dhe financuar një grup të përfshirë në prodhimin dhe shitjen e 243 kilogramëve kanabis në qarkun e Lezhës.

Ndërsa gjatë viteve 2020-2021, Deivis Bajramaj dhe Adrian Pikli dyshohet se janë angazhuar në tregtinë e paligjshme të armëve dhe municioneve, duke furnizuar edhe persona me precedentë penalë.

Sa i përket Albert Zajës, dosja ndaj tij është veçuar nga ky proces dhe po shqyrtohet në një procedim të ndarë.

Reklame