Në një moment kur sistemi i drejtësisë përballet me kritika të forta publike për përdorimin e shpeshtë të masës së sigurimit “arrest në burg”, Gjykata e Lartë ka ndërmarrë një hap që mund të ndikojë ndjeshëm në praktikën gjyqësore.

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, me një vendim të ndërmjetëm ka dërguar për diskutim në Kolegjet e Bashkuara një çështje konkrete, duke kërkuar unifikimin e praktikës lidhur me caktimin e masës së sigurimit “arrest me burg” për persona të dyshuar për vepra të ndryshme penale, përfshirë edhe zyrtarë të lartë të hetuar për korrupsion.

Reklame

Rasti që ka nxitur këtë diskutim lidhet me një person të dyshuar për trafik droge, i cili fillimisht u la në “arrest me burg” nga Gjykata e Lezhës, ndërsa më pas Gjykata e Apelit e ndryshoi masën në “arrest shtëpie”. Prokuroria ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë, duke pretenduar se gjykata e shkallës së dytë nuk ka analizuar siç duhet kriteret ligjore për zbutjen e masës së sigurimit.

Sipas arsyetimit të Sadushit, çështja nuk ka rëndësi vetëm për rastin konkret, por ngre një problem më të gjerë: nëse praktika e deritanishme e përcaktuar nga vendimi unifikues nr. 7 i vitit 2011 duhet të vijojë të zbatohet në të njëjtën mënyrë apo kërkon rishikim të pjesshëm.

Në argumentimin e tij përmenden edhe disa vendime të Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, mes tyre edhe rasti i Thoma Gëllci, ish-drejtor i përgjithshëm i televizionit publik shqiptar, ku mbajtja në paraburgim u konsiderua shkelje e të drejtave themelore.

Në vendim theksohet se për të privuar një person nga liria duhet të plotësohen disa kushte themelore: ekzistenca e dyshimeve të arsyeshme për kryerjen e një vepre penale, rreziku që personi të largohet nga drejtësia, mundësia për të prishur provat apo për të intimiduar dëshmitarët.

Pikërisht këto kritere pritet të analizohen nga Kolegjet e Bashkuara, të cilat do t’i japin përgjigje një pyetjeje kyçe: nëse rrezikshmëria e veprës penale apo e personit mund të përdoret si argument për “arrest me burg” pa një analizë konkrete të rrethanave të rastit.

Vendimi që do të merret mund të ketë ndikim të gjerë në praktikën e ardhshme të gjykatave. Analistët ligjorë vlerësojnë se një interpretim më i ngushtë i kritereve për paraburgimin mund të hapë rrugë për kërkesa të reja për lirimin nga paraburgimi, përfshirë edhe nga zyrtarë të lartë që aktualisht janë nën hetim apo në proces gjyqësor për korrupsion.

Debati për përdorimin e masës së arrestit me burg është intensifikuar muajt e fundit, me kritika se paraburgimi po përdoret gjerësisht edhe në raste kur mund të aplikohen masa më të buta sigurimi. Vendimi i ardhshëm i Kolegjeve të Bashkuara pritet të përcaktojë nëse praktika aktuale do të mbetet e njëjtë apo do të ndryshojë në mënyrë të ndjeshme.

Reklame