Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Target”, duke identifikuar dhe arrestuar një 29-vjeçar, i dyshuar për vjedhje të shumta në banesa.

Shtetasi i ndaluar është D. C., 29 vjeç, banues në Sukth, i cili dyshohet se gjatë periudhës dhjetor 2025 – janar 2026 ka kryer të paktën 3 vjedhje, duke marrë shuma parash, bizhuteri dhe pajisje të ndryshme, përfshirë edhe banesën e një shtetaseje italiane në Fermë Sukth, si dhe 5 banesa të tjera.

Reklame

Gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti një pistoletë sportive pa leje, një maskë dhe një palë doreza, që dyshohet se i përdorte për të kryer vjedhjet.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Durrësit, ndërsa hetimet për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer shtetasi D.C. vazhdojnë. Ai akuzohet për veprat penale: “Vjedhja” kryer më shumë se një herë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Reklame