Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, sqaroi në Kuvend projekt-ligjin për barazinë gjinore, duke theksuar se të vetmet gjini në Shqipëri janë burrë dhe grua. Ai u shpreh se ligji nuk prek Kodin e Familjes, gjendjen civile apo martesën dhe nuk ka për qëllim “shpikjen” e gjinive të reja, duke rrëzuar pretendimet e opozitës.
“Ky tekst merret me barazinë burrë-grua në jetën publike—paga të barabarta për punë të barabartë, shanse të barabarta dhe respekt të barabartë—dhe qartëson zbatimin në sektorin publik e privat sipas standardeve të BE-së. Nuk prek Kodin e Familjes, gjendjen civile apo martesën; nuk ‘shpik gjini të reja’; nuk imponon bindje mbi ndërgjegjen,” tha Gogu.
Ai shtoi se konceptet si “orientim seksual” apo “identitet gjinor” janë pjesë e ligjeve shqiptare që nga 2010, dhe ligji vetëm përforcon mekanizmat e zbatimit në arsim, punësim dhe shërbime, në përputhje me 10 direktiva të BE-së.
Ministri theksoi se ligji ka për qëllim heqjen e barrierave dhe paragjykimeve mes dy gjinive, duke përforcuar barazinë në paga, ligj dhe shërbime publike.
“Ky projektligj ndihmon familjen burrë-grua—me pagesë të barabartë, kundër diskriminimit dhe me rregulla të qarta zbatimi. Kundërshtarët realë të familjes nuk janë barazia dhe dinjiteti, por dhuna, varfëria, varësitë, mungesa e shërbimeve dhe emigracioni i detyruar,” tha Gogu.














