Advertisement

Ministria e Brendshme dhe Këshilli i Ministrave kanë paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit, që i dha të drejtë ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, për të përfituar rreth 60 paga mujore, ose afërsisht 100 mijë euro, si kompensim për ndërprerjen e parakohshme të mandatit të tij pesëvjeçar.

Më 26 qershor 2025, Gjykata Administrative e Apelit, me trup gjykues të përbërë nga Ardian Dvorani, Gentian Hamiti dhe Sokol Ibi, vendosi në favor të padisë së Gledis Nanos, duke vlerësuar se shkarkimi i tij nga detyra në vitin 2022 ishte i pajustifikuar dhe se ai kishte të drejtë të përfitonte pagat deri në përfundim të mandatit ligjor.

Reklame

Por Ministria e Brendshme dhe Këshilli i Ministrave nuk janë pajtuar me këtë vendim dhe e kanë kundërshtuar në shkallën e tretë të gjyqësorit, ku çështja do të shqyrtohet nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.

Gledis Nano u shkarkua më 31 gusht 2022, me propozim të ish-ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, me arsyetimin se “nuk kishte përmbushur objektivat”. Në vend të tij u emërua Muhamet Rrumbullaku.
Në atë kohë, Kryeministri Edi Rama deklaroi se Nano i kishte bërë me dije synimin për t’u larguar, ndërsa më vonë qeveria e shkarkoi zyrtarisht për mospërmbushje të objektivave.

Pas largimit nga Policia e Shtetit, Gledis Nano është angazhuar në fushën e sigurisë dhe hetimit. Aktualisht, ai renditet ndër shtatë kandidatët që po garojnë për drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), një proces që pritet të përmbyllet javën e ardhshme me shpalljen e fituesit.

Nëse vendimi i Apelit do të mbetet në fuqi, Nano pritet të përfitojë shumën e plotë të kompensimit financiar për periudhën pesëvjeçare të mandatit të ndërprerë.

Reklame