Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka propozuar shpalljen “Qytetarë Nderi” të Tiranës të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Veliaj e ka lidhur propozimin me vlerësimin e kontributit të tyre historik në periudhën e luftës së Kosovës dhe proceset që pasuan atë.
Sipas qëndrimit të kryebashkiakut, ky titull do të ishte një shprehje mirënjohjeje dhe vlerësimi për katër figurat e UÇK-së, të cilët aktualisht ndodhen në procesin gjyqësor në Hagë.
Veliaj: Mirënjohje për kontributin historik
Në argumentimin e tij, Veliaj e cilëson nismën si një vlerësim për kontributin e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit në rrugën drejt lirisë së Kosovës.
Propozimi vjen pak ditë pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Më 16 shtator, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet. Ata u shpallën fajtorë për akuza për krime lufte, ndërsa u liruan nga akuzat për krime kundër njerëzimit.
Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe ekipet mbrojtëse kanë paralajmëruar apelimin e tij.
Thirrje edhe për bashkitë e tjera
Përveç propozimit për Tiranën, Veliaj ka bërë thirrje që edhe bashkitë e tjera në Shqipëri të ndërmarrin iniciativa të ngjashme për nderimin e katër ish-krerëve të UÇK-së.
Një precedent i tillë ekziston në Kosovë: në dhjetor 2023, Kuvendi Komunal i Drenasit miratoi njëzëri shpalljen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit “Qytetarë Nderi” të komunës.
Propozimi i Bashkisë së Tiranës pritet të ndiqet nga procedurat përkatëse institucionale për shqyrtimin dhe miratimin e titullit.
Lexo edhe:
Hashim Thaçi reagon pas vendimit në Hagë: Do ta apeloj vendimin
Çfarë ndodh tani pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së? Ja si funksionon Apeli në Gjykatën Speciale






