Sali Berisha ka reaguar pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mori pjesë në Konventën Republikane amerikane të zgjedhjeve të mesmandatit, si pjesë e delegacionit të IDU.
Në një deklaratë, Berisha e cilësoi aktivitetin si “konventën më të bukur” të organizuar në SHBA, duke vlerësuar organizimin elektoral dhe politik të dy partive të mëdha amerikane.
Berisha u ndal veçanërisht te ngjashmëritë që, sipas tij, kishte vizita e fundit me udhëtimin e tij të parë në SHBA, 35 vite më parë.
Ai renditi tre pika që i konsideron të përbashkëta.
“Së pari, në udhëtimin tim të parë dhe në këtë udhëtim unë shkoja në SHBA si kryetar i opozitës apo partisë më të madhe opozitare. Kjo është e vërteta”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, ngjashmëria e dytë lidhet me qëllimin e vizitave.
Berisha tha se në udhëtimin e parë kishte kërkuar mbështetjen e administratës amerikane dhe diasporës shqiptare për përmbysjen e diktaturës komuniste, ndërsa këtë herë, sipas tij, qëllimi ishte kërkimi i mbështetjes për rrëzimin e asaj që ai e cilëson si “diktaturën autoritare të bazuar në drogën, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve”.
“Atëherë për përmbysjen e diktaturës totalitare komuniste, kësaj here të diktaturës autoritare të bazuar në drogën, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve”, tha kreu i PD-së.
Ngjashmërinë e tretë Berisha e lidhi me reagimet që, sipas tij, shoqëruan të dyja vizitat në SHBA.
Ai kujtoi udhëtimin e parë, kur së bashku me Gramoz Pashkon mori pjesë në ceremoninë e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së.
Sipas Berishës, edhe atëherë, ashtu si tani, ndaj tij pati sulme dhe akuza.
“Thashethemi dhe i tërë establishmenti u tërbuan kundër nesh”, tha Berisha, duke shtuar se ndaj tij dhe Pashkos u përdorën etiketime si “tradhti” dhe “agjenturë”.
Berisha pretendon se një situatë e ngjashme është përsëritur edhe pas vizitës së fundit, duke thënë se këtë herë reagimet kanë qenë edhe më të shumta për shkak të numrit të madh të mediave.
Deklarata vjen pas pjesëmarrjes së delegacionit shqiptar në aktivitetet e Partisë Republikane amerikane, ndërsa Berisha vijon ta paraqesë marrëdhënien me SHBA-në si një element të rëndësishëm të strategjisë së tij politike dhe të opozitës shqiptare.
Lexo edhe :
Berisha kthehet nga SHBA: “Ky është udhëtimi më ripërtëritës i jetës time”
Takim me kongresmenin Gooden, Berisha: Drejtësi e pavarur dhe luftë kundër karteleve të drogës






