Rritja e çmimit të naftës nuk ka sjellë një ulje të ndjeshme të konsumit në Shqipëri.

Pavarësisht kostos më të lartë për drejtuesit e mjeteve, importet e karburanteve gjatë periudhës mars-korrik 2026 ranë vetëm me 1.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Reklame

Të dhënat tregojnë se në pesë muaj u importuan rreth 305.8 mijë tonë karburante, kundrejt 309.6 mijë tonëve një vit më parë.

Rënia ishte më e dukshme në prill dhe maj, kur importet u ulën përkatësisht me 14.3% dhe 7.3%. Në mars, ndërkohë, importet u rritën me 2.8%.

Në muajt e verës, tendenca u përmbys.

Importet u rritën me 4.6% në qershor dhe 6.9% në korrik, të ndikuara edhe nga shtimi i lëvizjeve dhe fluksi turistik.

Por shifrat e importeve nuk tregojnë të gjithë koston. Për rreth 305.8 mijë tonë karburante të importuara nga marsi deri në korrik, fatura e përllogaritur në tregun vendas arrin në rreth 71.3 miliardë lekë.

Nëse e njëjta sasi do të ishte shitur me çmimin mesatar të vitit të kaluar, rreth 175 lekë për litër, fatura do të ishte rreth 63.7 miliardë lekë.

Diferenca është rreth 7.6 miliardë lekë, ose afërsisht 80 milionë euro më shumë.

Çmimet më të larta u regjistruan në disa prej muajve të kësaj periudhe.

Në mars nafta kushtoi mesatarisht 198.4 lekë për litër, në prill 209.5 lekë, ndërsa në maj 197.5 lekë. Në qershor çmimi ra në 182.4 lekë, por në korrik u rrit sërish në 195.6 lekë për litër.

Vetëm gjatë korrikut u importuan rreth 75.8 mijë tonë karburante, që korrespondojnë me rreth 90.2 milionë litra.

Me çmimin mesatar prej 195.6 lekësh për litër, fatura arriti në rreth 17.6 miliardë lekë. E njëjta sasi me çmimin 175 lekë për litër do të kushtonte rreth 15.8 miliardë lekë.

Edhe prilli tregon diferencën mes çmimit dhe sasisë së konsumuar.

Në muajin kur nafta arriti mesataren më të lartë të periudhës, 209.5 lekë për litër, importet ranë me 14.3%.

Megjithatë, për rreth 61.9 milionë litra të përllogaritura, fatura ishte rreth 13 miliardë lekë, mbi 2.1 miliardë lekë më shumë se sa do të ishte me çmimin mesatar të vitit të kaluar.

Një nga arsyet pse kërkesa për karburant mbetet e lartë lidhet me mungesën e alternativave të transportit.

Jashtë Tiranës dhe për udhëtimet ndërqytetëse, automjeti mbetet për shumë qytetarë mjeti kryesor i lëvizjes.

Shqipëria është gjithashtu i vetmi vend në Europë pa transport hekurudhor funksional.

Krahas çmimit të lartë, Shqipëria ka edhe një ngarkesë të konsiderueshme fiskale mbi karburantet.

Akciza, taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe TVSH-ja përbëjnë së bashku mbi 100 lekë për litër në çmimin e naftës.

Në vendet e rajonit janë përdorur masa të ndryshme për të kufizuar efektin e rritjes së çmimeve.

Kosova vendosi kufij për marzhet e tregtimit, Maqedonia e Veriut uli TVSH-në dhe akcizat, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi ndërhynë përmes uljes së akcizave.

Në Shqipëri, krahas ndërhyrjes përmes Bordit të Transparencës, u aplikua për një periudhë të shkurtër edhe një ulje prej 20% e akcizës, pasi çmimi i naftës kaloi 220 lekë për litër.

Masa u përdor në fillim të prillit, kur çmimi arriti 224 lekë për litër.

Më pas çmimet ranë nën pragun që aktivizonte uljen.

Në një kohë kur çmimi i naftës është rritur ndjeshëm, të dhënat tregojnë se përdorimi i automjetit është ulur vetëm në një masë të vogël. Për konsumatorët, kjo ka sjellë një faturë më të lartë, ndërsa rritja e çmimit ka ndikuar edhe në të ardhurat nga TVSH-ja./Monitor

Reklame