Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është pajisur me vizë amerikane dhe pritet të udhëtojë javën e ardhshme drejt Shteteve të Bashkuara.
Burime pranë PD-së bëjnë me dije se Berisha është njoftuar për miratimin e vizës, ndërsa pasaportën pritet ta tërheqë gjatë paradites së nesërme në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë.
Berisha pritet të udhëtojë drejt Teksasit, ku do të marrë pjesë në një konferencë të Partisë Republikane Amerikane për zgjedhjet “midterm”, si pjesë e një delegacioni të Unionit Demokratik Ndërkombëtar.
Në delegacion pritet të jenë edhe Fatmir Mediu, Belind Këlliçi, Albana Vokshi dhe Enri Ceno, ekspert për marrëdhëniet ndërkombëtare në PD.
Lajmi për miratimin e vizës vjen vetëm pak orë pasi Berisha kishte deklaruar se pasaporta e tij ndodhej ende në Ambasadën Amerikane dhe se nuk kishte marrë njoftim për përfundimin e procedurës.“Unë shkoj në Teksas në një konferencë të Partisë Republikane Amerikane për zgjedhjet mid-term. Unë jam në një delegacion të Unionit Demokratik Ndërkombëtar, që jam i ftuar për të marrë pjesë në këtë konferencë.”
Berisha kishte sqaruar gjithashtu se nuk kishte planifikuar takime në Departamentin Amerikan të Shtetit.
Me miratimin e vizës, tashmë pritet vetëm tërheqja e pasaportës dhe nisja e delegacionit drejt SHBA-së.








