Atentati në Dukagjin, zbardhen detajet: mbi 50 gëzhoja drejt makinës së babë e bir, hetohen dy pista

Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i rëndë në Dukagjin, ku mbetën të vrarë babë e bir, ndërsa një person i tretë që ndodhej në automjet u plagos dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Viktimat janë identifikuar si Prelë Gjoni, 82 vjeç, dhe djali i tij, Lekë Gjoni, 57 vjeç. Në automjet ndodhej edhe Lazër Bashi, i cili mbeti i plagosur. Pas marrjes së ndihmës mjekësore në Shkodër, ai u transportua drejt Tiranës për trajtim të specializuar.

Mbi 50 gëzhoja në vendngjarje

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur rreth orës 16:00, në rrugën e fshatit Xhan.

Babë e bir po ktheheshin nga banesa e tyre e vjetër në zonën e Dukagjinit, kur automjeti me të cilin udhëtonin është qëlluar me breshëri plumbash nga persona ende të paidentifikuar.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur më shumë se 50 gëzhoja. Nga të dhënat paraprake dyshohet se autorët kanë përdorur dy armë zjarri, një kallashnikov dhe një MP5.

Fakti që janë përdorur dy armë ka ngritur dyshimet e grupit hetimor se në atentat mund të kenë marrë pjesë të paktën dy persona.

Kontrollet vijojnë në zonën e thellë malore

Pas ngjarjes, forca të shumta të Policisë dhe efektivë të RENEA-s janë angazhuar në kontrolle për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Operacioni po zhvillohet në një terren të vështirë malor, ndërsa mungesa e sinjalit telefonik ka vështirësuar komunikimin dhe ndërhyrjen e menjëhershme të strukturave në zonë.

Familjarët e viktimave kanë deklaruar se Prelë dhe Lekë Gjoni nuk njiheshin për konflikte dhe nuk kishin dijeni për kërcënime të mëparshme.

Hetohen dy pista për motivin

Një nga pistat ku është përqendruar aktualisht grupi hetimor lidhet me divorcin e 57-vjeçarit Lekë Gjoni, i cili ishte divorcuar rreth tre muaj më parë nga bashkëshortja e tij, me të cilën kishte katër fëmijë.

Megjithatë, deri në këto momente nuk ka prova konkrete që e lidhin divorcin me atentatin. Bëhet fjalë për një pistë hetimi që po verifikohet nga Policia dhe Prokuroria.

Në të njëjtën kohë, hetuesit po verifikojnë edhe aktivitetin e fundit të 57-vjeçarit.

Sipas të dhënave të para, Lekë Gjoni punonte me një kamion dhe ditët e fundit kishte transportuar materiale ndërtimi për një banesë në fshatin Gjuraj të Dukagjinit. Ai kishte gjithashtu një eskavator dhe punonte së bashku me një tjetër banor të zonës.

Pikërisht këto të dhëna po verifikohen për të parë nëse mund të kenë lidhje me atentatin.

Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për identifikimin e autorëve, zbardhjen e plotë të dinamikës dhe përcaktimin e motivit të vrasjes së dyfishtë.

Lexo edhe:

Vrasje e dyfishtë në Dukagjin, babë e bir ekzekutohen me armë zjarri, një person i plagosur rëndë

Të shtëna me armë në Shkodër, plagoset Vlad Bruci në lagjen Rus

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version