32 vatra zjarri janë raportuar në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa 6 prej tyre vijojnë të jenë aktive dhe 4 të tjera janë nën mbikëqyrje.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se në operacionet e zhvilluara gjatë ditës së djeshme janë angazhuar 726 forca operacionale dhe 44 automjete zjarrfikëse.
Në përballimin e situatës kanë kontribuar edhe Forcat e Armatosura, me 270 efektivë, 5 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Gojan-Gjegjan, Pukë
Në zonën e Gojan-Gjegjanit në Pukë vijon operacioni i përforcuar, ku janë angazhuar 190 forca në terren.
Në operacion marrin pjesë 32 efektivë të MZSH-së me 7 mjete zjarrfikëse, 13 punonjës të shërbimit pyjor, 60 punonjës të shërbimeve vendore, 45 vullnetarë dhe banorë, si dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura.
Në mbështetje të operacionit janë vendosur edhe 1 ekskavator, 1 mjet zjarrfikës dhe 2 helikopterë të FA-së.
Tenë, Mirditë
Operacioni vijon edhe në Tenë të Mirditës, me angazhimin e 30 efektivëve të Forcave të Armatosura, mjeteve zjarrfikëse të FA-së dhe Bashkisë Mirditë, si dhe strukturave të shërbimit pyjor dhe atyre vendore.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht nuk ka rrezik për banesat.
Dukat, Vlorë
Në Dukat të Vlorës vatra vijon të jetë aktive, por me intensitet të ulët.
Në terren janë angazhuar 77 forca, mes tyre 10 efektivë të MZSH-së, 12 forca të Njësisë Administrative Orikum dhe 55 efektivë të Forcave të Armatosura.
Edhe në këtë zonë, Ministria e Mbrojtjes bën me dije se banesat nuk rrezikohen.
Mali i Dajtit
Në Malin e Dajtit, Tiranë, një pjesë e vatrave është izoluar plotësisht. Ndërkohë, ndërhyrja vijon në vatrat e mbetura, ku janë angazhuar 30 efektivë të Forcave të Armatosura.
Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Bërshi, Klos
Në Bërshi të Klosit, pasi vatra ishte vënë nën kontroll, gjatë natës janë riaktivizuar disa vatra për shkak të erës.
Në operacion janë angazhuar 85 forca, përfshirë 30 efektivë të Forcave të Armatosura, së bashku me mjete zjarrfikëse.
Shtuf, Mirditë
Në Shtuf të Mirditës, vatra mbetet aktive dhe ndërhyrja vijon në zonat ku terreni e mundëson.
Terreni i thepisur po vështirëson ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse, duke bërë që operacioni të vijojë me kapacitete të përshtatura sipas kushteve në terren.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri, me prioritet mbrojtjen e jetës së njerëzve, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
Lexo edhe:
Zjarri në Kodër Rrëshen, ja dëmet që shkaktuan flakët pranë banesave






