Një tjetër dëshmi e përfshirë në dosjen hetimore po ndihmon në rindërtimin e minutave pas përplasjes së 18 gushtit në Ksamil, ku humbi jetën turisti portugez Luis Miguel Varela Mendez.
Bëhet fjalë për dëshminë e Armando Zenelit, DJ në diskotekën “Principote”, i cili është marrë në pyetje nga hetuesit si person që kishte dijeni për ngjarjen.
Zeneli ka treguar çfarë ka parë në ambientet e lokalit dhe jashtë tij, por edhe momentet kur është nisur me automjet bashkë me Sokrat Vatën, pak pas përplasjes.
“Më ço në spital, nxito”
Sipas dëshmisë së Zenelit, rreth orës 05:00 ai ka parë disa prej rojeve të sigurisë duke vrapuar në drejtim të hyrjes së klubit.
Pak më vonë, te pjesa e restorantit, disa kolegë të tij, të shqetësuar, i kanë kërkuar që të merrte Sokrat Vatën dhe ta çonte në spital, pasi Zeneli kishte automjetin pranë.
Sipas dëshmisë, Vata është afruar i gjakosur në trup dhe me dorën poshtë bluzës, në pjesën e barkut.
Ai i ka kërkuar disa herë Zenelit që ta çonte në spital dhe të nxitonte.“Ku e ke makinën? Më ço në spital, nxito”, mësohet t’i ketë thënë Vata, sipas dëshmisë së përfshirë në dosjen hetimore.
Zeneli ka njoftuar fillimisht menaxherin dhe më pas është nisur me vrap drejt parkimit për të marrë automjetin.
Turistët po i jepnin ndihmë një personi të shtrirë
Kur ka dalë jashtë ambienteve të lokalit, DJ-i ka parë një grup turistësh që po i jepnin ndihmë një personi të shtrirë në tokë.
Më pas, Sokrat Vata ka hipur në pjesën e pasme të automjetit dhe bashkë me Zenelin janë nisur në drejtim të qendrës shëndetësore të Ksamilit.
Gjatë rrugës, sipas dëshmisë, Vata i ka kërkuar Zenelit të vazhdonte drejt.
Por pas rreth dy ose tre minutash, kur kanë mbërritur në një rrugë me kalldrëm, Vata i ka kërkuar të ndalonte automjetin.
Vata zbret dhe largohet zbathur
Sipas dëshmisë së DJ-it, Vata ka zbritur nga makina dhe është larguar me vrap.
Zeneli ka treguar se, disa metra larg automjetit, ka parë Vatën të hidhte me forcë diçka në tokë.
Pas këtij momenti, Zeneli është kthyer në banesën e tij, ku ka qëndruar i tronditur nga ngjarja.
Pasi është qetësuar, ai ka telefonuar policinë dhe u ka ofruar efektivëve ndihmë për identifikimin dhe kapjen e Sokrat Vatës.
Dëshmia e Armando Zenelit është pjesë e materialeve të dosjes hetimore dhe po përdoret për të sqaruar lëvizjet e Sokrat Vatës dhe personave të tjerë në minutat pas përplasjes, si dhe për të rindërtuar dinamikën e plotë të ngjarjes së rëndë në Ksamil.
Dëshmia e Zenelit përbën deklarimin e tij para hetuesve dhe duhet të vlerësohet së bashku me provat dhe dëshmitë e tjera të administruara në dosje.
Lexo edhe:
9 orë seancë/ Lihet në qeli Sokrat Vata, 2 turqit e 3 kamarierët, për vrasjen e portugezit






