Vetëm 6 minuta kanë kaluar nga momenti kur nisi përplasja mes grupit të turistëve të huaj dhe personave të lokalit “Principote” deri në largimin e Sokrat Lipanit, alias Sokrat Vata, nga vendi i ngjarjes ku humbi jetën turisti portugez Luis Miguel Varela Mendez.
Pamjet e kamerave të sigurisë, të administruara si pjesë e materialit hetimor, dokumentojnë lëvizjet dhe përplasjet në mëngjesin e 18 gushtit 2026, nga ora 05:14 deri në 05:20.
Nga dinamika e evidentuar në pamje, konflikti nis pranë ambienteve të jashtme të “Principote” dhe “Paradise”, ku ndodhej grupi i turistëve të huaj.
Nga përplasja te përleshja
Në 05:14:24, disa persona dalin nga ambientet e “Principote” dhe qëndrojnë pranë hyrjes së ambienteve të jashtme të “Paradise”.
Në grup ndodhen edhe Ibrahim Lemoie, Sudae Akhmat, Florian Cetina dhe Luis Mendes, ky i fundit i veshur me një bluzë të bardhë.
Rreth një minutë më vonë, në 05:15:22, nga pjesa e parkimit në anën jugore të “Principote” afrohen David Heuertvent dhe Sokrat Lipan, alias Vata.
Në 05:16:39, Sokrat Lipan shihet duke u shtyrë me një person të veshur me të bardha. Pas përplasjes, ai largohet në drejtim të shezlloneve.
Por situata përshkallëzohet vetëm pak sekonda më vonë.
Në 05:16:47, Sokrati ndjek një prej personave drejt parkimit. Në 05:16:54, ai rikthehet me vrap në drejtim të Ibrahim Lemoie, i cili përplaset me shezllonet dhe bie në tokë.
Sipas përshkrimit të pamjeve në materialin hetimor, Sokrat Lipan e godet.
Luis Mendes futet në përleshje
Në 05:17:14, në konflikt afrohet Luis Mendes. Ai shtyn me trup Sokrat Lipanin, i cili bie në tokë.
Pas ngritjes, Sokrat Lipan i afrohet Mendesit dhe nis përplasja fizike mes tyre.
Vetëm 6 sekonda më vonë, në 05:17:20, sipas pamjeve, David Heuertvent dhe Sokrat Lipan godasin Luis Mendes.
Në këtë moment afrohet edhe Sudae Akhmat, i cili përpiqet të ndihmojë shokun e tij dhe godet Sokrat Lipanin.
Përleshja vijon edhe në pjesë të tjera të plazhit.
Në intervalin 05:17:35–05:17:46, Serxhi Selimi shihet duke goditur me grushte Ibrahim Lemoie.
Ndërkohë, Luis Mendes përpiqet të largohet nga përplasja me Sokrat Lipanin dhe David Heuertvent. Ai largohet me nxitim dhe futet në det.
Turisti del nga deti i gjakosur
Në 05:17:53, Luis Mendes afrohet nga ana jugore e plazhit, në zonën ku ndodhen kamarierët.
Sipas materialit të kamerave, aty ai goditet me grushte nga Serxhi Ademi dhe shtyhet drejt detit.
Vetëm 11 sekonda më vonë, në 05:18:04, Mendes del nga uji dhe ecën në drejtim të shezlloneve të plazhit “Paradise”.
Në pamje, ai shihet me bluzën e bardhë të njollosur me gjak.
Në 05:18:24, David Heuertvent largohet drejt ambienteve të brendshme të “Principote”. Në pamje dallohet se edhe ai ka gjak në pjesën e përparme të rrobave dhe përpiqet ta fshijë.
05:20:28, momenti kur Vata largohet
Dy minuta më vonë regjistrohet një tjetër moment i rëndësishëm në dinamikën e ngjarjes.
Në 05:20:28, Sokrat Lipan, alias Vata, largohet nga vendi i ngjarjes.
Edhe bluza e tij e bardhë paraqitet e njollosur me gjak. Pas tij ecën kamarieri Igli Cekani, i cili e shoqëron në drejtim të lokalit “Principote”.
Kështu, në vetëm rreth 6 minuta, kamerat e sigurisë kanë dokumentuar një zinxhir përplasjesh, goditjesh dhe lëvizjesh që nis në orën 05:14 dhe përfundon me largimin e disa prej personave të përfshirë.
Pamjet janë pjesë e materialit hetimor dhe po përdoren për të përcaktuar dinamikën e plotë të ngjarjes dhe përgjegjësinë e secilit person.
Hetimi vijon për të zbardhur të gjitha rrethanat që çuan në vdekjen e turistit portugez Luis Miguel Varela Mendez.
Lexo edhe
9 orë seancë/ Lihet në qeli Sokrat Vata, 2 turqit e 3 kamarierët, për vrasjen e portugezit






