Ndryshimet e reja në Kodin Rrugor sjellin masa më të ashpra për drejtuesit që kapen duke drejtuar automjetin nën efektin e alkoolit. Një nga masat më të forta është heqja e përhershme e lejes së drejtimit në rastet e përsëritjes së shkeljes.
Ndryshimet kanë hyrë në fuqi më 7 gusht 2026, në kuadër të masave të reja për rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.
Kur hiqet patenta përgjithmonë për alkoolin?
Sipas ndryshimeve të reja, leja e drejtimit hiqet përgjithmonë kur një drejtues mjeti rezulton me një nivel alkooli më të lartë se 0.5 gram për litër gjak (g/l) dhe është konstatuar dhe ndëshkuar më parë për drejtim të mjetit nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur.
Pra, masa e heqjes së përhershme nuk lidhet vetëm me një rast të vetëm të drejtimit nën efektin e alkoolit, por me përsëritjen e shkeljes.
Çfarë synojnë ndryshimet e reja?
Policia Rrugore argumenton se ashpërsimi i masave vjen për shkak të rrezikut që paraqet drejtimi i automjetit nën efektin e alkoolit dhe lidhjes së këtij fenomeni me aksidentet rrugore me pasoja.
Drejtuesit e mjeteve që konsumojnë alkool para drejtimit kanë reagim dhe përqendrim më të dobët, duke rritur ndjeshëm rrezikun për humbjen e kontrollit mbi automjetin dhe për përfshirjen në aksidente.
Masat e reja nuk ndalen vetëm te alkooli
Kodi i ri Rrugor parashikon edhe masa të tjera më të ashpra.
Ndër to janë shtyrja e së drejtës për t’u pajisur me leje drejtimi për personat që kapen duke drejtuar automjetin pa patentë, si dhe masa të veçanta për drejtuesit e rinj.
Gjithashtu, është ashpërsuar trajtimi i përdorimit të telefonit gjatë drejtimit të mjetit. Nëse një drejtues ndëshkohet dy herë brenda të njëjtit vit për përdorimin e celularit, leja e drejtimit pezullohet.
Janë rritur gjithashtu masat për manovrat e rrezikshme, parakalimet dhe shkeljet në zona urbane, pranë shkollave dhe kryqëzimeve.
Policia Rrugore u bën apel drejtuesve të mos drejtojnë automjetin pas konsumimit të alkoolit dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.
Qëllimi i ndryshimeve, sipas autoriteteve, nuk është vetëm ndëshkimi, por parandalimi i aksidenteve dhe mbrojtja e jetës në rrugë.
Lexo edhe:
Kodi i ri Rrugor 2026: Sa është gjoba për përdorimin e telefonit në timon?
Kodi i ri Rrugor, nga 7 gushti kanë hyjnë në fuqi masat e ashpra






