Një sasi e dyshuar lënde eksplozive është gjetur e pashpërthyer në orët e para të mëngjesit pranë derës së një biznesi në pronësi të këngëtarit Rigels Rajku, i njohur publikisht si Noizy.
Ngjarja është regjistruar në lagjen nr. 13, në zonën e Plazhit në Durrës. Pas konstatimit të lëndës së dyshuar plasëse, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë së Shtetit dhe grupi hetimor.
Lënda është sekuestruar dhe pritet t’i nënshtrohet ekzaminimit për të përcaktuar natyrën dhe përbërjen e saj.
Hetuesit kanë nisur verifikimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar personin ose personat që dyshohet se e kanë vendosur pranë biznesit.
Në fokus të hetimeve janë edhe kamerat e sigurisë të biznesit dhe ambienteve përreth, të cilat mund të ndihmojnë në dokumentimin e lëvizjeve dhe identifikimin e autorëve të dyshuar.
Deri në këto momente, nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme materiale.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
Lexo edhe:
Dëshmia që tronditi sallën: Noizy tregon si nisi konflikti me Cllevion
Cllevio dëshmon në GJKKO: Noizy më goditi me grusht, nuk di kush vendosi tritolin








