Pas ngjarjes së rëndë të datës 25 qershor 2026, ku dhjetëra kursantë të Akademisë së Sigurisë në Sauk përfunduan me urgjencë në spital si pasojë e një helmimi masiv, Instituti i Shëndetit Publik ka mbyllur zyrtarisht hetimet.
Por, në vend të transparencës, institucioni ka zgjedhur të përdorë një gjuhë të koduar burokratike për të fshehur të vërtetën.
Televizioni “Ora News” ka siguruar përgjigjen zyrtare të ISHP-së pas një kërkese për informacion, ku zbulohet një përpjekje e hapur për të fshehur shifrat, fajtorët dhe përgjegjësinë, duke ngritur dyshime të forta për një tentativë zyrtare për të fshirë gjurmët e këtij skandali shëndetësor.
Raporti ka përfunduar, por mbahet “Sekret”.
ISHP konfirmon zyrtarisht se e ka përfunduar Raportin Epidemiologjik për ngjarjen në Akademinë e Sigurisë. Megjithatë, në shkelje të plotë të ligjit, institucioni ka refuzuar të vërë në dispozicion një kopje të këtij raporti për median, duke e mbajtur atë të kyçur në sirtarë. Pse fshihet një dokument zyrtar që i përket interesit publik? Çfarë ka brenda atij raporti që nuk duhet të rrjedhë në publik?
Televizioni “Ora News” pyeti zyrtarisht për numrin ekzakte të kursantëve të helmuar, numrin e të shtruarve në spital dhe emrin e saktë të patogjenit (bakterit apo virusit) që u gjet në analizat e gjakut dhe feçeve të studentëve.
Përgjigja e ISHP-së është një shmangie totale. Ata pranojnë se analizat e kursantëve “kanë kontribuar në hetim”, por nuk guxojnë të përmendin asnjë shifër dhe asnjë emër bakteri . Për ISHP-në, ngjarja mbyllet me frazën se “nuk është identifikuar një burim i vetëm i konfirmuar i infeksionit”.
Pas kësaj përgjigjeje skandaloze, Ora News ka disa pyetje publike për drejtuen e ISHP-së Dorina Toçi:
1-Pse refuzohet dhënia e Raportit të plotë Epidemiologjik ? Nëse institucioni nuk po fsheh asgjë, pse ky dokument zyrtar mbahet “Top Secret” për median dhe publikun?
2- Sa është numri i saktë i kursantëve të prekur dhe çfarë patogjeni u izolua në trupin e tyre?
3- A ka interesa jashtë-shëndetësore pas këtij raporti të paqartë? Kush po tentohet të mbrohet?
Televizioni “Ora News” po ndjek hapat ligjorë pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit për të detyruar ISHP-në të dorëzojë raportin e fshehur, sepse shëndeti i uniformave të ardhshme të policisë dhe transparenca përpara publikut nuk mund të mbyten nga burokracia institucionale.
Lexo edhe
SORI-AL mohon helmimin nga ushqimi: “Në Akademinë e Sigurisë ka pasur edhe viroza sezonale”








