Sokol Hoxha, i dënuar për dy vrasje në Shqipëri dhe një tjetër në Belgjikë, është ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara drejt Shqipërisë pas një hetimi të gjatë që zbuloi përdorimin e një identiteti të rremë për t’iu shmangur drejtësisë për afro tre dekada.
Hoxha ishte dënuar në mungesë për një vrasje të dyfishtë të kryer në Shqipëri në vitin 2000, si dhe për një tjetër vrasje në Belgjikë në vitin 2010.
Gjatë viteve ai kishte arritur të fshihte identitetin e tij të vërtetë, duke siguruar dokumente dhe status qëndrimi jashtë vendit me të dhëna të rreme.
Sipas Ambasadës së SHBA në Tiranë, identifikimi i tij u bë pas një hetimi të zhvilluar nga Njësia e Hetimeve Penale Ndërkombëtare e Shërbimit të Sigurisë Diplomatike amerikane, në bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe agjenci të tjera ndërkombëtare.
Hetimi përfshiu bashkëpunimin mes Shërbimit të Marshallëve të SHBA-së, ICE, Departamentit Amerikan të Drejtësisë, INTERPOL-it dhe Policisë së Shtetit Shqiptar, duke çuar në zbulimin e identitetit të tij real dhe procedurat për ekstradimin.
Ambasada amerikane bëri të ditur se rasti i Hoxhës tregon se keqpërdorimi i sistemit të emigracionit nuk mund të përdoret për t’iu shmangur përgjegjësisë për krime të rënda.
Autoritetet amerikane dhe shqiptare vijojnë bashkëpunimin për identifikimin dhe kthimin para drejtësisë të personave të kërkuar ndërkombëtarisht.








