Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tre persona të akuzuar për mashtrime kompjuterike përmes një Call Center-i që vepronte në kryeqytet, duke mashtruar shtetas të huaj me skemën e rikuperimit të parave të humbura në investime fiktive.

Të pandehur janë menaxheri i Call Center-it, Klaudio Sulejmëni, si dhe dy punonjësit Franko Karemani dhe Eriglen Arapi.

Reklame

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit u arrestuan në nëntor 2025 gjatë një operacioni të zhvilluar në një ambient të përshtatur si Call Center në zonën e Selitës, në Tiranë.

Si funksiononte skema e mashtrimit

Nga hetimet rezultoi se Call Center-i kishte si aktivitet mashtrimin e shtetasve të huaj nëpërmjet telefonatave. Punonjësit kontaktonin persona që kishin humbur para në platforma të rreme investimi dhe u premtonin se do t’i ndihmonin t’i rikuperonin ato.

Sipas dosjes hetimore, Klaudio Sulejmëni dhe Franko Karemani ishin përgjegjës për rekrutimin dhe trajnimin e punonjësve, duke u shpjeguar mënyrën se si duhej të bindnin viktimat për të besuar në skemën e rikuperimit të parave, e njohur si “Recovery”.

Agjentët mblidhnin informacione mbi humbjet financiare të viktimave, kompanitë me të cilat kishin bashkëpunuar më parë dhe më pas i orientonin drejt personave që prezantoheshin si “ekspertë”, të cilët vijonin mashtrimin.

Akuzat

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Tiranës dërgoi për gjykim:

  • Klaudio Sulejmëni – për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”;
  • Franko Karemani – për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”;
  • Eriglen Arapi – për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.

Çështja tashmë do të shqyrtohet nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Lexo edhe:

Zhvati 50 mln € me Call Center-at/ Arrestohet në “Olea Residence” në Dhërmi, Granit Pepnika

Mashtrimi 50 milionë euro me call center, Gjykata lë në burg Granit Pepnikën dhe dy të arrestuarit e tjerë

Reklame