Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka miratuar një rregullore të re, e cila pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator dhe që parashikon rregulla të reja për praninë e gazetarëve gjatë proceseve gjyqësore.

Sipas rregullores, gazetarët do të duhet të pajisen me leje për të ndjekur seancat gjyqësore, ndërsa gjatë zhvillimit të tyre nuk do të lejohet përdorimi i telefonave celularë apo pajisjeve të tjera të filmimit.

Reklame

Vendimi ka shkaktuar reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), i cili e konsideron rregulloren shqetësuese dhe kufizuese për ushtrimin e profesionit të gazetarit dhe për të drejtën e publikut për t’u informuar.

Sipas AGSH-së, telefoni celular nuk është thjesht një pajisje personale, por një mjet pune i domosdoshëm për gazetarët, veçanërisht për raportimin në kohë reale, komunikimin me redaksitë dhe përcjelljen e zhvillimeve gjyqësore te publiku.

“Veçanërisht alarmues është ndalimi i përdorimit të telefonit celular nga gazetarët gjatë seancave gjyqësore. Duam të sjellim në vëmendje të GJKKO-së se telefoni celular nuk është thjesht një pajisje elektronike, por mjeti bazë i punës së gazetarit për raportim në kohë reale, komunikim me redaksinë dhe informim të publikut”, thuhet në reagimin e AGSH-së.

Organizata argumenton se ndalimi i përdorimit të telefonave mund të kufizojë të drejtën për informim publik, veçanërisht duke marrë parasysh rëndësinë e proceseve që zhvillohen në GJKKO dhe interesin e lartë publik që ato kanë.

AGSH ka ngritur shqetësime edhe për regjistrimin e seancave dhe praninë e kamerave në sallat e gjyqit. Sipas saj, këto çështje duhet të trajtohen në përputhje me ligjin dhe Udhëzuesin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, pa vendosur ndalime të përgjithshme.

Në reagimin e saj, AGSH kërkon që çdo kërkesë për regjistrim të shqyrtohet në mënyrë individuale dhe që çdo kufizim të jetë proporcional, i arsyetuar dhe i mbështetur në ligj.

Organizata propozon gjithashtu që të garantohet regjistrimi i pjesës hyrëse të seancave, në përputhje me udhëzuesin përkatës të KLGJ-së, duke argumentuar se kufizimet duhet të vendosen vetëm kur janë të nevojshme dhe të justifikuara.

Në përfundim, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë i ka bërë thirrje GJKKO-së të shtyjë hyrjen në fuqi të rregullores dhe të nisë një proces konsultimi me gazetarët, organizatat e medias dhe aktorët e tjerë të interesuar.

Sipas AGSH-së, një rregullore që prek drejtpërdrejt lirinë e medias dhe të drejtën e publikut për t’u informuar duhet të hartohet përmes dialogut dhe në përputhje me standardet e transparencës.

AGSH ka deklaruar se është e gatshme të kontribuojë me ekspertizën dhe rekomandimet e saj, me synimin për të gjetur një ekuilibër mes mbarëvajtjes së proceseve gjyqësore dhe të drejtës së medias për të informuar publikun në mënyrë të lirë, profesionale dhe të përgjegjshme.

Lexo edhe :

Marbella, nyja e kokainës në Europë/ Gazetari spanjoll: Grupet shqiptare kanë rol drejtues

SHBA kufizon vizat për studentët dhe gazetarët, hyjnë në fuqi rregullat e reja

Reklame