Zv.presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar ndaj draftit të ri administrativo-territorial të qeverisë, duke e cilësuar atë si një projekt që, sipas saj, synon të centralizojë më tej pushtetin dhe të dobësojë autonominë vendore.
Në një deklaratë publike, Xhixho tha se Shqipëria po përballet me një projekt që, sipas saj, mbështetet mbi korrupsionin, pastrimin e parave dhe betonizimin, ndërsa akuzoi qeverinë se po përpiqet të zëvendësojë demokracinë lokale me kontrollin e pushtetit qendror.
“Drafti i ri administrativo-territorial i qeverisë Rama është një projekt që synon të zëvendësojë demokracinë lokale me kontrollin nga qendra e pushtetit. Një projekt që nuk e afron shtetin me qytetarin, por e largon qytetarin nga vendimmarrja”, u shpreh Xhixho.
Ajo kritikoi edhe reformën territoriale të vitit 2014, duke deklaruar se objektivat e saj për më shumë efikasitet, shërbime më të mira dhe autonomi vendore nuk janë realizuar.
Sipas Xhixhos, bashkitë sot përballen me probleme financiare dhe varësi të lartë nga qeveria qendrore, ndërsa qytetarët, sipas saj, janë larguar nga proceset e vendimmarrjes lokale.
Zv.presidentja e PL-së akuzoi gjithashtu qeverinë se ka centralizuar një pjesë të kompetencave të pushtetit vendor, duke përmendur administrimin e ujësjellësve dhe kontrollin mbi zhvillimin urban.
Një pjesë e rëndësishme e deklaratës së saj iu kushtua shpopullimit. Xhixho tha se largimi i banorëve nga vendi dhe boshatisja e zonave rurale duhet të trajtohen si një problem kombëtar dhe kritikoi propozimin për reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46.
“Shqipëria po zbrazet. Këto nuk janë thjesht shifra. Janë familje të ndara, fshatra që po boshatisen, qytete që humbin energjinë e tyre dhe komunitete që po mbeten pa mjekë, pa mësues, pa profesionistë dhe pa të ardhme”, deklaroi ajo.
Duke krahasuar organizimin vendor të Shqipërisë me disa vende evropiane, Xhixho tha se shtetet si Sllovenia, Italia, Franca dhe Gjermania kanë një numër të konsiderueshëm njësish vendore dhe, sipas saj, synojnë ta mbajnë pushtetin sa më pranë qytetarëve.
Ajo renditi disa nga shqetësimet e opozitës lidhur me draftin e ri, duke argumentuar se bashkitë më të mëdha mund të largojnë administratën nga qytetarët, veçanërisht në zonat rurale dhe malore, të dobësojnë përfaqësimin lokal dhe të rrisin varësinë nga pushteti qendror.
Në këtë kuadër, Partia e Lirisë propozon krijimin e 100 bashkive, si dhe decentralizim më të madh, autonomi financiare dhe administrative, përfaqësim më të drejtë të zonave rurale dhe mbrojtje të identitetit historik e kulturor të komuniteteve.
“Shqipëria ka nevojë për më shumë demokraci vendore dhe jo për më shumë centralizim”, tha Xhixho.
Në përfundim, ajo kërkoi që çdo ndryshim i hartës administrativo-territoriale t’i nënshtrohet vullnetit të qytetarëve përmes referendumit.
“Kjo reformë duhet të jetë e qytetarëve dhe jo e një partie. Prandaj çdo ndryshim i hartës administrative-territoriale duhet t’i nënshtrohet vullnetit të qytetarëve. Vetëm referendumi mbetet rruga më demokratike, më legjitime dhe më e drejtë për të vendosur për një reformë që prek drejtpërdrejt jetën e çdo qytetari”, përfundoi Erisa Xhixho.
Lexo edhe:
Xhixho: Shqipëria mbahet në këmbë nga paratë e pista, jo nga puna
Erisa Xhixho: Kuvendi është kthyer në noter të qeverisë, ligjet kalojnë pa debat dhe transparencë








