Cristiano Ronaldo po shijon disa ditë pushimi në Mallorca, ku vëmendjen e ka marrë një moment i veçantë me djalin e tij, Cristiano Ronaldo Jr.
Ylli portugez ka ndarë me ndjekësit në rrjetet sociale një fotografi ku shfaqet pa bluzë së bashku me djalin e tij në një plazh shkëmbor në ishull. Të dy kanë pozuar duke treguar muskujt, ndërsa Ronaldo ka shoqëruar postimin me një batutë drejtuar djalit të tij.
“Ende jo”, ka shkruar me humor futbollisti portugez, duke iu referuar diferencës fizike mes tij dhe Cristiano Ronaldo Jr.
Adoleshenti, i lindur në vitin 2010, po ndjek rrugën e të atit në futboll. Cristiano Ronaldo Jr. është pjesë e akademisë së Al Nassr, klubit ku luan edhe babai i tij, dhe ka shprehur më herët dëshirën për të ndjekur karrierën e tij në futboll.
Fotografia e publikuar nga Ronaldo ka marrë mijëra reagime nga tifozët, të cilët kanë komentuar marrëdhënien mes babait dhe djalit, si dhe ngjashmërinë fizike mes tyre.
Pavarësisht batutës së Ronaldos, Cristiano Jr. tashmë ka një fizik të zhvilluar për moshën e tij dhe, sipas raportimeve mediatike, është afruar ndjeshëm me gjatësinë e të atit.
Pushimet e familjes Ronaldo në Mallorca janë shoqëruar edhe me praninë e partneres së futbollistit, Georgina Rodríguez.
Ndërkohë, qëndrimi i çiftit në ishull ka rikthyer edhe spekulimet në mediat ndërkombëtare për një martesë të mundshme. Këto zëra janë nxitur edhe nga fakti se Ronaldo është parë duke mbajtur një unazë të madhe diamanti gjatë qëndrimit në Mallorca.
Për momentin, postimi me djalin e tij ka qenë ai që ka tërhequr më shumë vëmendjen e ndjekësve, duke sjellë edhe një herë në qendër të vëmendjes marrëdhënien e veçantë mes yllit portugez dhe djalit të tij.
Lexo edhe:
Ronaldo rikthehet në fushë dhe shënon golin e 962-të
Cristiano Ronaldo jep lajmin: Ky është Botërori im i fundit!








