Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është paraqitur këtë të premte, më 31 korrik, në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku mësohet se i është komunikuar zgjatja e hetimeve me tre muaj, si dhe akuzat e reja lidhur me tre lote të Unazës së Madhe të Tiranës.
Balluku ka qëndruar rreth 20 minuta në ambientet e SPAK-ut. Në dalje, ajo është shoqëruar nga avokati i saj, Ardian Kalia.
As ish-zëvendëskryeministrja dhe as avokati i saj nuk kanë bërë deklarata për mediat, pavarësisht interesit të gazetarëve që prisnin jashtë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme.
Gjatë paradites, një grup qytetarësh dhe aktivistësh janë mbledhur para SPAK-ut, ku kanë protestuar dhe kanë hedhur parulla kundër Belinda Ballukut.
Një ditë më parë, kreu i SPAK, Klodian Braho, u deklaroi gazetarëve se çështja që lidhet me Belinda Ballukun është me prioritet dhe se hetimet ndaj saj vijojnë.
Balluku është marrë zyrtarisht nën akuzë edhe për gjashtë lotet e tjera të Unazës së Madhe të Tiranës, ndërsa më herët ishte marrë zyrtarisht e pandehur për lotin 4 dhe për tenderin e Tunelit të Llogarasë.
Ndërkohë, lidhur me këtë të fundit, një ditë më parë SPAK i ka komunikuar zgjatjen e hetimeve edhe dy ish-vartësve të Ballukut, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.
Sipas informacioneve, të njëjtin vendim për zgjatjen e afatit të hetimeve pritet t’i komunikohet edhe Belinda Ballukut.
Hetimet vijojnë, ndërsa SPAK pritet të vijojë veprimet procedurale lidhur me akuzat dhe dosjet që kanë në qendër ish-zëvendëskryeministren dhe ish-ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Lexo edhe:
Rama shpall “të mbyllur” çështjen e arrestimit të Ballukut, përplasje e fortë me SPAK
SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, PS prezanton sot raportin nga Këshilli i Mandateve






