Në seancën gjyqësore për vrasjen e Albi Bashaliut, ngjarje e ndodhur më 27 dhjetor 2021 në Gjocaj të Peqinit, ka dëshmuar kushëriri i viktimës, Sami Bashaliu.
Gjatë dëshmisë së tij, ai ka treguar para gjykatës detaje nga momentet e ekzekutimit të 33-vjeçarit, duke përshkruar automjetin me të cilin dyshohet se kanë lëvizur autorët dhe veprimet e tyre pas krimit.
Sipas dëshmisë, autorët kanë mbërritur në zonë me një automjet tip “Audi”, ngjyrë e bardhë dhe me xhama të errët. Nga automjeti ka zbritur një person i maskuar, i cili i është afruar Albi Bashaliut dhe ka qëlluar disa herë me armë zjarri.
“Automjeti ishte me xhama të errët, me targa shqiptare, tip Audi dhe ngjyrë e bardhë. Më tha gruaja se ishte një makinë aty. U afrova, por nuk pashë njerëz. Pas pak, njëri nga personat që zbriti nga makina i foli Albi Bashaliut dhe më pas u dëgjua arma. Nuk e kisha parë ndonjëherë më parë, pasi ishte i maskuar”, ka deklaruar Sami Bashaliu.
“Ishte një person që qëlloi, dy ishin në automjet”
Kushëriri i viktimës ka deklaruar se në automjet ndodheshin dy persona, por vetëm njëri prej tyre ka qëlluar ndaj 33-vjeçarit.
“Ai qëlloi 2-3 herë. Djemtë që ishin ulur në lokal u trembën, u ngritën dhe ikën. Ishin dy persona në automjet, por vetëm njëri prej tyre qëlloi”, ka rrëfyer ai.
Pas të shtënave, sipas dëshmisë, autorët kanë ndërmarrë një tjetër veprim për të humbur gjurmët. Ata dyshohet se kanë djegur automjetin e viktimës dhe më pas janë larguar nga vendngjarja.
“Albi ra në tokë. Pastaj ata futën armën dhe dogjën automjetin e viktimës. Unë u futa brenda, vetëm shikoja dhe nuk bëra gjë”, ka deklaruar dëshmitari.
Dëshmia ngre dyshime për lidhje me të kaluarën e familjes
Gjatë dëshmisë, Sami Bashaliu ka folur edhe për të kaluarën e viktimës dhe familjes së tij.
Ai ka deklaruar se Albi Bashaliu nuk frekuentonte më lokalin e familjes pas vrasjes së vëllait të tij, Leonardit.
“Albi nuk vinte te lokali ynë kohët e fundit, që kur u vra vëllai i vet. Nuk dija gjë për të kaluarën e tij”, ka thënë dëshmitari.
Sipas tij, edhe vëllai i viktimës, Leonardi, ishte vrarë më herët. Gjatë dëshmisë, Sami Bashaliu ka përmendur edhe emrin e një personi që, sipas asaj që kishte dëgjuar në zonë, dyshohej për atë vrasje, por ka theksuar se nuk kishte dijeni të drejtpërdrejtë për ngjarjen.
“Albit i vranë vëllanë Leonardin. Ai rrinte më shumë në Itali. Alberti Xhahysa, më duket se e pati vrarë, ashtu u mor vesh aty, domethënë. Unë nuk di gjë”, ka deklaruar ai.
Dëshmia e kushëririt të viktimës pritet të jetë pjesë e materialeve që do të shqyrtohen nga gjykata në procesin për zbardhjen e vrasjes së Albi Bashaliut. Hetimet dhe procesi gjyqësor do të përcaktojnë përgjegjësitë dhe rrethanat e plota të ngjarjes.
Lexo edhe:
Nis procesi gjyqësor në GJKKO, Laert Haxhiu refuzon të marrë pjesë. Pritet të dëgjohen 12 dëshmitarë








