Ambasada shqiptare në Londër ka reaguar ndaj një artikulli të BBC-së, duke kërkuar korrigjimin e një titulli që, sipas saj, stigmatizonte komunitetin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar.

Artikulli ishte publikuar më 24 korrik dhe kishte titullin “Albanians used false papers for settlement scheme”, që në shqip do të thotë “Shqiptarët përdorën dokumente false për skemën e qëndrimit”.

Reklame

Ambasada shqiptare e cilësoi këtë formulim si të padrejtë dhe stigmatizues, pasi ngjarja lidhej me tre individë dhe jo me komunitetin shqiptar në tërësi.

Pas reagimit zyrtar të Ambasadës, BBC ndryshoi titullin e artikullit.

Titulli i ri është “Trio used false papers for settlement scheme”, që do të thotë “Tre persona përdorën dokumente false për skemën e qëndrimit”.

Në reagimin e saj, Ambasada shqiptare falënderoi qytetarët shqiptarë që kanë ngritur zërin kundër stereotipeve dhe përgjithësimeve të pabazuara në media.

Ambasada theksoi se media ka një përgjegjësi të veçantë për të raportuar me saktësi dhe pa paragjykime.

Sipas saj, kur një çështje penale lidhet me individë të caktuar, përgjegjësia duhet të jetë individuale dhe jo kolektive.

Ambasada argumentoi se etiketimi i një komuniteti të tërë për veprimet e disa personave mund të kontribuojë në krijimin dhe përforcimin e paragjykimeve ndaj mijëra shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Britani.

Në përfundim të reagimit, Ambasada shqiptare deklaroi se do të vijojë të reagojë sa herë që qytetarët shqiptarë ose Shqipëria trajtohen në mënyrë të padrejtë, diskriminuese apo stereotipizuese në media.

Sipas Ambasadës, respekti për të vërtetën dhe dinjitetin e çdo komuniteti është një standard i rëndësishëm i gazetarisë dhe një vlerë themelore e një shoqërie demokratike.

Lexo edhe:

Rekord telefonatash nga burgjet në Britani/ Si shqiptarët drejtojnë bandat nga qelia

Anglia ashpërson ligjin e emigracionit, preken shqiptarët

Reklame