Kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, i marrë i pandehur nga SPAK për akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje, është pyetur sot në gjykatë në kuadër të procesit gjyqësor që zhvillohet ndaj tij.
Para gjykatës, Shkreli ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij, duke deklaruar se nuk ka premtuar apo ofruar përfitime materiale në këmbim të votës.
Sipas kryebashkiakut, komunikimet e përgjuara të administruara nga SPAK lidhen me problematikat e banorëve dhe organizimin e një takimi elektoral, dhe jo me përpjekje për të ndikuar te zgjedhësit.
Shkreli: Komunikimet lidhen me problematikat e banorëve
Gjatë dëshmisë, Shkreli u ndal te komunikimet që prokuroria i ka përdorur si pjesë të provave në dosjen ndaj tij.
Ai deklaroi se telefonatat dhe kontaktet me drejtues të institucioneve janë pjesë e punës së tij të përditshme për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.
“Nuk kam ofruar dhe premtuar asgjë në këmbim të votës. Fshati Stajkë kishte problematikë që në vitin 2019 me energjinë elektrike. Unë çdo ditë bëj telefonata për problematikat e banorëve”, deklaroi Shkreli para gjykatës.
Ai shtoi se kontakton drejtues të ndryshëm institucionesh sa herë që merr ankesa nga qytetarët për probleme të shërbimeve publike.
“Jepi zjarr” ishte për brohoritjet në takimin elektoral
Shkreli ka dhënë edhe versionin e tij për një nga komunikimet që, sipas prokurorisë, lidhet me aktivitetin elektoral.
Ai tha se shprehja “jepi zjarr” nuk kishte lidhje me kërkimin e votave apo me premtime për përfitime, por me atmosferën gjatë një takimi elektoral.
“Mesazhi që prokuroria thotë ‘jepi zjarr’ është që unë kam kërkuar që në takimin elektoral që ishte lënë të kishte brohoritje, ovacione, jo të kem kërkuar vota apo t’kem ofruar të mira materiale apo vende pune”, u shpreh ai.
Procesi gjyqësor ndaj kryebashkiakut të Vaut të Dejës vijon.
Ndërsa gjykata do të shqyrtojë provat dhe dëshmitë e administruara në dosje përpara se të marrë një vendim përfundimtar.
Shkreli konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
Lexo edhe:
SPAK përballë Shkrelit në gjyq, dëshmitarja: Nuk më premtoi shpërblim për votën








