Ka nisur seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa jashtë godinës vijon protesta e qytetarëve.
Sipas rendit të ditës, deputetët do të shqyrtojnë miratimin e procesverbalit të seancës së 23 korrikut.
Në vijim do të shqyrtohen njoftimet dhe projektvendimi për ndryshimin e përbërjes së komisioneve të përhershme të Kuvendit.
Projektvendimi lidhet me vendimin nr. 87/2026 për caktimin e anëtarëve zëvendësues në komisionet e përhershme. Ai pritet të miratohet me shumicë të thjeshtë votash.
Protesta jashtë Kuvendit
Ndërkohë, jashtë sallës së Kuvendit janë mbledhur dhjetëra qytetarë.
Protestuesit kanë rrethuar godinën e Parlamentit. Ata kanë bërë thirrje kundër klasës politike.
“Nuk na përfaqësoni, Parlament i krimit”, është një nga thirrjet e protestuesve.
Protesta është shoqëruar me tensione. Disa protestues janë shoqëruar nga Policia e Shtetit.
Agron Shehaj: Arben Kola u mor zvarrë nga policia
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, deputeti Agron Shehaj ka reaguar për shoqërimin e aktivistit Arben Kola.
Shehaj akuzoi mazhorancën se po përdor policinë ndaj protestuesve.
“Keni arrestuar sot Arben Kolën, 10 policë e morën zvarrë për t’ju mbrojtur ju sepse ai proteston. As këtë nuk e bëjnë dot më tani sepse rrezikojnë burgun. Ndërkohë që kryeministri refuzon të flasë”, deklaroi Shehaj.
Ai vijoi kritikat ndaj qeverisë për masat e sigurisë rreth Parlamentit.
Sipas Shehajt, prania e shtuar e policisë tregon frikën e mazhorancës nga përballja me qytetarët.
“Blindoheni këtu sepse nuk dilni dot para protestuesve. Dy muaj protesta”, u shpreh ai.
Seanca plenare vijon mes tensioneve brenda Kuvendit dhe protestës së qytetarëve jashtë godinës.
Lexo edhe:
Protesta para Parlamentit, policia shoqëron me forcë protestuesin Arben Kola
Parlamenti rrethohet me barriera metalike, policia shton masat e sigurisë para protestës








