Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 74 vota pro marrëveshjen e huasë prej 302 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fondet do të përdoren për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe financimin e pajisjeve dhe shërbimeve të mbrojtjes.
Marrëveshja u miratua vetëm me votat e deputetëve të Partisë Socialiste. Deputetët e opozitës kundërshtuan procedurën e ndjekur nga mazhoranca dhe nuk morën pjesë në votimin përfundimtar.
Taulant Balla: Marrëveshje historike për Shqipërinë
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e cilësoi marrëveshjen si historike dhe një dëshmi të besimit të Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë.
Sipas Ballës, financimi do të përdoret ekskluzivisht për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe për blerjen e pajisjeve dhe shërbimeve të mbrojtjes, në përputhje me standardet e NATO-s.
“Kjo është një marrëveshje historike për Shqipërinë, me rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare të vendit që konfirmon fuqishëm marrëdhëniet e shkëlqyera të Shqipërisë me SHBA-të. Është dëshmi konkrete e besimit të SHBA-ve ndaj Shqipërisë”, deklaroi Balla.
Ai tha se Shqipëria ka një angazhim të shtuar për rritjen e shpenzimeve në fushën e mbrojtjes dhe mbështet objektivin e ri të NATO-s për rritjen e investimeve në këtë sektor.
48 muaj për aktivizimin e fondeve dhe 12 vjet për shlyerjen
Sipas Ballës, Shqipëria do të ketë 48 muaj kohë për aktivizimin e fondeve të huasë.
Ndërkohë, afati i shlyerjes së kredisë do të jetë deri në 12 vjet. Marrëveshja parashikon gjithashtu mundësinë e një periudhe “grace” deri në një vit dhe parapagimin e huasë pa penalitete.
Financimi do të disbursohet gradualisht, në bazë të nevojave konkrete të Ministrisë së Mbrojtjes.
Balla theksoi se përdorimi i fondeve do të bëhet në përputhje me kërkesat dhe procedurat e përcaktuara në marrëveshje.
Bardhi: Opozita nuk e ka marrë marrëveshjen
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kundërshtoi mënyrën se si u zhvillua procesi parlamentar.
Bardhi deklaroi se deputetët e opozitës nuk e kanë pasur në dispozicion tekstin e plotë të marrëveshjes dhe kritikoi procedurën e përshpejtuar të ndjekur nga mazhoranca.
“Ne nuk e disponojmë marrëveshjen, s’na është vënë në dispozicion. Marrëveshja është e mirëpritur sepse Shqipërisë i duhen investime të tilla. Reagimi është i vonuar”, deklaroi Bardhi.
Ai tha se opozita e mbështet në parim marrëveshjen me SHBA-në, por kundërshton mënyrën se si po trajtohet në Kuvend.
Sipas Bardhit, marrëveshja duhej të shqyrtohej me transparencë dhe në përputhje me Kushtetutën.
Berisha: Nuk votojmë procedura antikushtetuese
Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kundërshtoi procedurën e ndjekur për miratimin e marrëveshjes.
Opozita deklaroi se nuk do të merrte pjesë në një seancë që e konsideron të thirrur në kundërshtim me Kushtetutën.
Gazment Bardhi njoftoi gjithashtu se grupi parlamentar i PD-së dhe aleatët e tij nuk do të merrnin pjesë në votimin përfundimtar.
Peleshi: Deputetët duhet të njihen me marrëveshjen
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, deklaroi se deputetët duhet të kenë mundësi të njihen me përmbajtjen e marrëveshjes.
Sipas tij, për shkak të natyrës së informacionit që përmban dokumenti, deputetët duhet të respektojnë procedurat e konfidencialitetit.
Deputetët mund ta lexojnë marrëveshjen pasi të firmosin një deklaratë konfidencialiteti. Dokumenti nuk mund të merret ose të riprodhohet jashtë ambienteve të përcaktuara për shqyrtimin e tij.
Marrëveshja u miratua me procedurë të përshpejtuar
Përpara votimit përfundimtar, Kuvendi miratoi futjen e marrëveshjes në procedurë të përshpejtuar.
Ky vendim u shoqërua me kundërshtime të forta nga deputetët e opozitës, të cilët u drejtuan drejt foltores së Kuvendit.
Pas shqyrtimit në komisionet parlamentare, marrëveshja kaloi për votim në seancën plenare.
Seanca për miratimin e marrëveshjes nisi në orën 15:00 dhe u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa votimi u krye në mënyrë publike.
Në përfundim, marrëveshja e huasë prej 302 milionë dollarësh nga SHBA-ja u miratua me 74 vota pro, të gjitha nga deputetët e Partisë Socialiste.
Marrëveshja synon financimin e investimeve në fushën e mbrojtjes dhe modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Lexo edhe:
Ndodh edhe kjo! Tension në Kuvend, Agron Shehaj merr kopjen e marrëveshjes dhe largohet me vrap
Kuvendi rinis seancën për marrëveshjen e huasë me SHBA, PD braktis sallën








