Avokati Kujtim Cakrani nuk do të jetë më pjesë e mbrojtjes ligjore të ish-presidentit Ilir Meta. Lajmi është bërë publik nga vetë studioja ligjore “Cakrani”, e cila njoftoi se marrëdhënia profesionale me Metën ka përfunduar për shkak të humbjes së mirëbesimit reciprok dhe mungesës së bashkëpunimit mes palëve.
Në deklaratën zyrtare thuhet se vendimi është marrë në përputhje me normat e etikës profesionale dhe legjislacionin në fuqi, pa konflikte interesi apo akuza mes palëve.
Studioja ligjore: Mungoi bashkëpunimi i nevojshëm
Sipas njoftimit të publikuar nga studioja “Cakrani”, marrëdhënia klient-avokat ka ardhur në fund pas zhvillimeve të fundit në procesin gjyqësor.
“Sot, më datë 29 qershor 2026, Studio Ligjore ‘Cakrani’ njofton publikun se marrëdhënia klient-avokat me z. Ilir Metaj ka ardhur në fund. Shkëputja e kësaj marrëdhënieje vjen si pasojë e humbjes së mirëbesimit reciprok dhe mungesës së bashkëpunimit të nevojshëm ndërmjet klientit dhe mbrojtësit ligjor”, thuhet në deklaratë.
Studioja thekson se vendimi pasqyron vetëm mungesën e kushteve objektive për një mbrojtje ligjore efektive dhe nuk lidhet me konflikte personale apo profesionale.
Tensionet në seancën gjyqësore
Vendimi për ndërprerjen e bashkëpunimit vjen vetëm pak ditë pas seancës gjyqësore që u shoqërua me tensione mes Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.
Debati u fokusua te Ardian Shatku, kushëriri i Monika Kryemadhit, i konsideruar një nga personat e përmendur në dosjen hetimore. Gjatë seancës pati replika dhe tensione mes ish-bashkëshortëve.
Pas seancës, vetë Kujtim Cakrani deklaroi se nuk bëhej fjalë për një konflikt personal, por për diskutimet e lidhura me rolin e Ardian Shatkut në çështje.
Ai u shpreh se Shatku përmendet qindra herë në dosjen hetimore dhe ngriti pikëpyetje për faktin se nuk ishte thirrur si dëshmitar.
Meta mbetet pa avokat për herë të dytë
Kujtim Cakrani ishte avokati i dytë që mori përsipër mbrojtjen e Ilir Metës në procesin penal që po zhvillohet në GJKKO.
Më herët, mbrojtja e ish-presidentit ishte përfaqësuar nga avokati Genc Gjokutaj, i cili u tërhoq nga çështja në muajin maj të vitit të kaluar.
Në deklaratën përfundimtare, studioja ligjore i ka uruar Ilir Metës gjetjen e një përfaqësimi të ri ligjor, duke garantuar njëkohësisht ruajtjen e konfidencialitetit të të gjitha informacioneve të marra gjatë ushtrimit të mandatit si avokat.
Çështja ndaj Ilir Metës vijon të shqyrtohet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Deklarata e plotë për mediat
Me datë 24 maj 2025, Studio Ligjore “Cakrani” nëpërmjet avokatit Kujtim Cakrani, mori përsipër përfaqësimin ligjor të ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Metaj, në procedimin penal të zhvilluar para Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO/SPAK). Bashkëpunimi është kryer me ndershmëri profesionale dhe me angazhim të plotë në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave ligjore të klientit.
Sot, më datë 29 Qershor 2026, Studio Ligjore “Cakrani” njofton publikun se marrëdhënia klient–avokat me z. Ilir Metaj ka ardhur në fund. Shkëputja e kësaj marrëdhënieje vjen si pasojë e humbjes së mirëbesimit reciprok dhe mungesës së bashkëpunimit të nevojshëm ndërmjet klientit dhe mbrojtësit ligjor, gjendje kjo e evidentuar sidomos pas seancës së fundit gjyqësore të çështjes në themel.
Theksojmë se kjo shkëputje bëhet plotësisht brenda normave të etikës dhe deontologjisë profesionale të avokatit, në zbatim të Kodit të Etikës së Dhomës së Avokatisë dhe legjislacionit në fuqi. Nuk ka asnjë konflikt interesi, akuza reciproke apo qëndrim polemik nga asnjëra palë. Vendimi pasqyron thjesht dhe vetëm mungesën e kushteve objektive të domosdoshme për vazhdimin e një mbrojtjeje ligjore efektive.
Studio Ligjore “Cakrani” i uron z. Metaj gjetjen e përfaqësimit ligjor të duhur dhe respekton të drejtën e tij kushtetuese dhe konvencionale për gjykim të drejtë. Gjatë gjithë periudhës së bashkëpunimit, avokati Kujtim Cakrani ka vepruar me integritet profesional të plotë dhe do të ruajnë, si e kërkon ligji, konfidencialitetin e informacioneve të fituara gjatë ushtrimit të mandatit.
Kjo deklaratë lëshohet me qëllim ekskluziv të transparencës ndaj opinionit publik dhe medias, për të evituar çdo keqkuptim apo interpretim të gabuar të rrethanave që çuan në përfundimin e marrëdhënies profesionale.






