Durrës/ Mbetet në burg 76-vjeçari për vrasjen e vëllait në Kavajë

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Durrës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për 76-vjeçarin Muhamet Rreshka, i akuzuar për vrasjen e vëllait të tij, Eqerem Rreshka, në fshatin Agonas të Kavajës.

Në seancën e zhvilluar më 28 qershor, gjykata ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin në flagrancë të të dyshuarit dhe ka vendosur që ai të qëndrojë në paraburgim gjatë vijimit të hetimeve.

Muhamet Rreshka po hetohet për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 25 qershor, duke tronditur komunitetin lokal në zonën e Kavajës.

Sipas hetimeve paraprake, viktima, Eqerem Rreshka, ishte kthyer nga ara me një zetor pasi kishte transportuar dengje bari, kur është përballur me vëllain e tij.

Mes dy vëllezërve ka nisur një konflikt për përdorimin e një segmenti rruge në fshat, pasi 76-vjeçari kundërshtonte kalimin në atë pjesë.

Debati verbal është përshkallëzuar në përplasje fizike. Sipas të dhënave hetimore, pasi është goditur gjatë konfliktit, Muhamet Rreshka ka nxjerrë një thikë dhe ka goditur disa herë vëllain e tij.

Si pasojë e plagëve të marra, 58-vjeçari Eqerem Rreshka ka humbur jetën në vendngjarje.

Menjëherë pas ngjarjes, policia ka arrestuar autorin e dyshuar dhe ka sekuestruar mjetin e përdorur në krim.

Sipas raportimeve, i moshuari, i cili më herët ka ushtruar edhe detyrën e kryeplakut të fshatit Agonas, ka shprehur pendesë gjatë marrjes në pyetje.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë nën drejtimin e prokurorisë.

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version