Nga Denis Hidri
Protestat i trembin të gjithë ata që jetojnë nga apatia e qytetarëve.
Pushteti ka frikë se mos humbet kontrollin. Opozita ka frikë se mos qytetarët kuptojnë se protesta nuk ka nevojë për “pronarë” politikë. Të dyja palët duan një popull që duartroket, jo një popull që kërkon llogari.
Kur sheshi mbushet, bien maskat. Disa nxitohen ta quajnë protestën “dështim”, të tjerë përpiqen ta përvetësojnë si sukses të tyre. E vërteta është më e thjeshtë: protesta nuk u përket partive, u përket qytetarëve.
Më qesharakët janë ata që flasin çdo ditë për demokraci, por sapo qytetarët dalin në shesh, fillojnë të numërojnë kokat, të shpikin justifikime dhe të kërkojnë fajtorë. Demokracia është e bukur vetëm kur nuk u prish rehatinë. Kur qytetari ngre zërin, papritur bëhet “problem”.
Një popull që proteston është i gjallë. Një pushtet që trembet nga protesta dhe një opozitë që trembet nga qytetarët, tregojnë se frika nuk është në shesh, por në korridoret e politikës.






