Berisha reagon ndaj protestuesve: Thirrjet kundër meje dhe Ramës financohen nga Soros

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj thirrjeve të disa protestuesve që kërkojnë burgosjen e tij dhe të Kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se këto grupe, sipas tij, financohen nga George Soros.

Gjatë një deklarate për mediat, Berisha u shpreh se demokratët kanë qenë vazhdimisht pjesë e protestave si qytetarë dhe vlerësoi vendimin që mbështetësit e Partisë Demokratike të mos marrin pjesë me simbolet e partisë.

“Demokratët të gjithë janë në protestë. Në këtë protestë qindra dhe mijëra demokratë në mënyrë të vazhdueshme. Mendoj se ka qenë vendimi më i drejtë që ata kanë marrë. Nuk kanë shkuar me simbole të partisë, por si demokratë, si qytetarë”, deklaroi Berisha.

Kreu i opozitës kritikoi gjithashtu sloganet që barazojnë qeverinë me opozitën, duke i cilësuar ato si “klithma mjerane” dhe “slogane të opozitës së opozitës”.

Sipas tij, krahasimi mes tij dhe Ramës synon të zbusë përgjegjësitë e qeverisë dhe të krijojë një situatë bllokimi politik.

“Nuk ka vend në botë që të barazojë pozitën me opozitën. Janë dufe dhe mllefe të atyre që hynë në politikë të opozitës”, tha Berisha.

Ai shtoi se këto qëndrime, sipas tij, nuk përfaqësojnë idealet e të rinjve dhe qytetarëve shqiptarë, por burojnë nga grupe të vogla që, sipas pretendimeve të tij, mbështeten nga George Soros.

Deklaratat e Berishës vijnë në një kohë kur protestat qytetare në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit kanë sjellë edhe qëndrime kritike ndaj të gjithë klasës politike, përfshirë qeverinë dhe opozitën.

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version