SORI-AL mohon helmimin nga ushqimi: “Në Akademinë e Sigurisë ka pasur edhe viroza sezonale”

Kompania “SORI-AL” ka reaguar sërish lidhur me incidentin e ndodhur në Akademinë e Sigurisë, ku deri tani 64 studentë kanë shfaqur simptoma të dyshuara helmimi.

Në një deklaratë zyrtare, kompania mohon që shkaku i situatës të jetë ushqimi i shërbyer prej saj, duke argumentuar se të dhënat e mbledhura deri në këtë fazë nuk e mbështesin një përfundim të tillë. Sipas kompanisë, në ambientet e Akademisë së Sigurisë është konstatuar edhe prania e virozave sezonale, të cilat mund të kenë shkaktuar simptoma të ngjashme tek studentët.

“SORI-AL” bën të ditur se ka angazhuar ekspertë të fushës për të analizuar të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe thekson se informacionet e administruara deri më tani nuk tregojnë se ushqimi i shërbyer nga kompania ka qenë burimi i problemit.

Sipas deklaratës, prania e virozave sezonale, të shoqëruara me temperaturë të lartë, këputje fizike dhe simptoma të tjera klinike, duhet të jetë pjesë e hetimit epidemiologjik dhe nuk mund të anashkalohet gjatë analizës së rastit.

Kompania u bën thirrje institucioneve përgjegjëse dhe organeve ligjzbatuese që të zhvillojnë një hetim të plotë, të paanshëm dhe të mbështetur në prova laboratorike, epidemiologjike dhe shkencore.

“SORI-AL” shprehet se po përballet me një presion institucional dhe një gjykim publik të parakohshëm, ndërsa thekson se përqendrimi i vëmendjes vetëm te shërbimi i ushqimit, pa përfunduar ende verifikimet zyrtare, nuk i shërben zbardhjes së plotë të ngjarjes.

Në reagim thuhet gjithashtu se autoritetet e Akademisë së Sigurisë duhet të analizojnë të gjithë faktorët e mundshëm që mund të kenë ndikuar në situatë, përfshirë edhe gjendjen epidemiologjike në institucion.

Kompania deklaron se do të vijojë të bashkëpunojë me institucionet për të ndihmuar në zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa paralajmëron se do të mbrojë me të gjitha mjetet ligjore reputacionin dhe integritetin e saj profesional.

Nese ju duhet ndihme, kontaktoni
Exit mobile version